“Bashkimi kombëtar, bombë me sahat”, Bytyçi: Të angazhohemi në forcimin e shtetit të Kosovës

Nga A2 CNN
12 Qershor 2023, 21:10 | Kosova
“Bashkimi kombëtar, bombë me sahat”, Bytyçi:

Bashkimi kombëtar është një bombë me sahat që shkakton destabilitet pasiguri dhe cenon paqen në rajon. Kështu deklaroi në studion e Debatit në A2 CNN analisti Enver Bytyçi, teksa komentoi rikthimin e kësaj teze nga kryeministri Albin Kurti. Sipas tij kjo çështje nuk është në interes të shqiptarëve pasi do të thotë që Shqipëria të bashkohet me gjysmën e Kosovës dhe gjysma tjetër e saj të bashkohet me Serbinë. Ai thekson se të gjithë duhet të angazhohen për forcimin e shtetit të Kosovës dhe jo të luhet me emocionet e njerëzve.

“Kurti e riktheu tezën e bashkimit kombëtar për arsye emocionale e elektorale për t’u thënë votuesve të tij, por nuk besoj që edhe vetë Kurti beson që sot është në rend të ditës, apo trend të flasësh për bashkimin kombëtar. Ajo që duhet të bëjmë ne është të predikojmë forcimin e shtetit të Kosovës. Ne nuk duhet të luajmë me emocionet e njerëzve që janë në nivel mediokër dhe të përfitojmë elektoralisht, por të shohim ku janë interesat e Kosovës e Shqipërisë dhe çdo përpjekje për bashkim kombëtar do të thotë i gjysmës së Kosovës me Shqipërinë dhe gjysmës tjetër së Kosovës me Serbinë dhe lënien jashtë kufijve të të gjitha trevave shqiptare në Ballkan. Kjo nuk është në interes të shqiptarëve, por kjo është bombë me sahat që shkakton destabilitet pasiguri dhe cenon paqen në rajon. Sa kohë që Kosova nuk është anëtare e OBK do të duhet të jetë e ndaluar të përmendet, por më vonë do të zbehet edhe te qytetarët ideja e bashkimit kombëtar. Shqipërisë e shqiptarëve nuk i bën dëm ekzistenca e Kosovës”.

Bytyçi theksoi gjithashtu se edhe bashkësia ndërkombëtare nuk është e bashkuar në zhbërjen e shtetit të Kosovës por e mbështet atë.

“Bashkësia ndërkombëtare mbështet Kosovën, nuk është e bashkuar në ndarjen dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës pavarësisht se disa elementë janë të interesuar për këtë. Nuk jam dakord as me deklaratat e disa politikanëve të Kosovës. Të gjithë duhet të angazhohen për forcimin e shtetësisë së Kosovës dhe jo të flasin për bashkimin kombëtar. Jam kundër këtyre deklaratave”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos