Bashkitë, më pak të ardhura nga taksat e ndërtimeve

Nga A2 CNN
21 Janar 2019, 12:08 | Ekonomi
Bashkitë, më pak të ardhura nga taksat e ndërtimeve

Edhe pse bashkitë kanë dhënë më shumë leje ndërtimi gjatë vitit 2018, të ardhurat që ato kanë siguruar nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, që janë pagesat që bëjnë firmat, kanë pësuar rënie.

Sipas raportit të Financave Vendore, publikuar nga “Coplan” dhe Ministria e Financave rezulton se pas një rritje të theksuar në vitin 2017, të hyrat nga kjo taksë shënuan një nivel prej rreth 3,7 miliard lekë, me rënie 15,7% në terma vjetorë.

Ekspertët e raportit shpjegojnë se ndonëse në nivel disi më të ulët, të ardhurat nga kjo taksë përfaqësojnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për bashkitë në vend. Në nivel bashkie, rënia e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u udhëhoq nga bashkia Tiranë e cila ka mbledhur rreth 674,8 milionë lekë më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Tkurrje e fortë ka edhe në bashkinë Durrës, ku të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë rezultojnë të jenë ulur ndjeshëm krahasuar me nivelin e shënuar në nëntëmujorin e vitit 2017, përkatësisht nga rreth 314,6 milionë lekë në rreth 176,8 milionë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos