Bashkitë thellojnë borxhin, arrin në 6,6 miliardë lekë

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2020, 17:06 | Ekonomi
Bashkitë thellojnë borxhin, arrin në 6,6 miliardë lekë

Bashkitë kanë thelluar më tej borxhin në nëntëmujorin e vitit 2019. Të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë se detyrimet e prapambetura arritën në 6,6 miliardë lekë, nga 6,2 miliardë lekë që ishte në fund të gjysmës së parë të vitit të kaluar.

Tirana rezulton bashkia me stokun më të madh të detyrimeve të pashlyera për periudhën janar-shtator të vitit të kaluar. Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare situata paraqitet problematike edhe në bashkitë e Kavajës, Pogradecit, Kamzës dhe Lezhës të cilat kanë rritur ndjeshëm borxhin gjatë nëntë mujorit të vitit 2019.

Borxhi i bashkive, Haxhimali: Shqetësues, tërmeti ndikim tek të ardhurat

Mosshlyerja e pagesave për investimet e kryera si dhe largimet nga puna kanë rritur ndjeshëm borxhin e pushtetit vendor. Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, shpjegon se pavarësisht nivelit të lartë të detyrimeve të prapambetura në disa bashki, nuk shihet si domosdoshmëri vendosja e një administratori nga Ministria e Financave.

“Nuk do të ketë bashki që të jetë në atë pikë të vështirësive financiare që kryetari të zëvendësohet apo kompetencat e kryetarit t’i marrë një administrator. E pranoj që ka vështirësi financiare çdo bashki, por jo në atë nivel sa të vijë zgjidhja vertikale, nga pushteti qendror, me një të emëruar”, thotë Haxhimali.

Një pjesë e bashkive janë prekur nga tërmeti i 26 Nëntori dhe kanë pezulluar lejet e ndërtimit, çka pritet të sjellë më pak para të mbledhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Për Agron Haxhimalin, Kryebashkiakët do të duhet të gjejnë burime të tjera alternative për të rritur të ardhurat.

“Duhet të punojnë për rritjen e të ardhurave, ta zgjerojnë bazën e taksapaguesve”, thotë ai. “61 bashkitë e mbledhin siç duhet taksën e pasurisë. E ardhura në nivel kombëtar që sigurohet nga kjo taksë është e barabartë me paratë që qeveria qendrore jep për bashkitë. Kjo është e vetmja mënyrë që pushteti vendor të mbajë së paku në nivele normale zhvillimin e ekonomive”.

Sipas të dhënave, gjatë periudhës Janar-Shtator bashkitë kane mbledhur 13,3 miliardë lekë, nga të cilat 7,2 miliardë lekë janë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos