
Rusia thotë se ka arrestuar një basketbolliste amerikane, pasi është kapur në kufi me vaj hashashi me vete.
Shërbimi Federal i Doganave të Rusisë tha se sportistja ishte dy herë fituese e Lojërave Olimpike me Kombëtaren amerikane, por nuk e identifikoi me emër. Ndërsa Agjencia Ruse e Lajmeve, TASS, duke cituar burime nga organet ligjzbatuese, tha se bëhej fjalë për basketbollisten e Phoenix Mercury, Brittney Griner.
Gjatë kalimit të doganës në aeroportin e Moskës, kontrollorët gjetën në çantën e saj shishe me vaj hashashi. Sipas ligjeve ruse, nëse Griner shpallet fajtore për transport të lëndëve narkotike, rrezikon të dënohet me burg deri në 10 vite.
Arrestimi vjen në një prej momenteve më të tensionuara mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga kjo e fundit. SHBA ka akuzuar Rusinë se ka arrestuar disa amerikanë vitet e fundit, me akuza të sajuara, për t’i shfrytëzuar për një shkëmbim të mundshëm mes të burgosurve.
Shumë basketbolliste amerikane luajnë në Rusi pasi mbaron sezoni i kampionatit të femrave në SHBA, për shkak se rrogat aty janë më të larta. Griner ka luajtur për disa vite me skuadrën UMMC Ekaterinburg.
Ndërkohë, SHBA u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë që të largohen nga Rusia, ndërsa situata në Ukrainë nuk duket se po përmirësohet. (A2 Televizion)