BDI “vetësakrifikohet” për intregrimin, Ahmeti njofton dorëheqjen me kushte të ministrave shqiptarë

Nga A2 CNN
31 Korrik 2023, 14:32 | Ballkani
BDI “vetësakrifikohet” për intregrimin, Ahmeti njofton

Sakrificë politike, për hir të së ardhmes euroatlantike të vendit. Kështu e ka quajtur kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, vendimin për dorëheqjen e ministrave të partisë së tij nga postet qeveritare në Maqedoninë e Veriut.

Teksa e dha njoftimin në një postim publik në Facebook, drejtuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski, Ahmeti bëri të ditur se vendimi është marrë “duke u nisur nga kushtëzimi i partisë opozitare të VMRO DPPMNE-së se do t’i votonte ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga qeveria”.

E megjithatë, edhe ai vendosi një kusht për opozitën duke theksuar se largimi i ministrave do të hynte në fuqi, pasi të votohen ndryshimet kushtetuese.

Duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota të shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar! Dorëheqjet, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita t’i votojë ndryshimet kushtetuese.

Partia shqiptare, e dyta më e madhe në koalicionin qeveritar, vlerëson se ndryshimet kushtetuese janë rruga e vetme e vazhdimit drejt integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për të arritur numrin e nevojshëm prej dy të tretës së votave në parlament, duhet të votojë edhe VMRO-ja e opozitës.

Në një reagim pas njoftimit, VMRO-DPMNE-ja kërkon që dorëheqjet e ministrave të BDI-së të jenë të parevokueshme dhe të organizohen zgjedhje të shpejta parlamentare.

Ndërsa nga Lidhja Social-Demokratike e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, kanë thënë se pas vendimit të BDI-së, opozita duhet t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese.

Maqedonia e Veriut ka një afat deri në nëntor që të miratojë ndryshimet, përkatësisht të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, në mënyrë që të vazhdojë fazën e dytë të bisedimeve me Bashkimin Evropian për integrim në këtë bllok. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos