BE diskuton për Ballkanin, Varhelyi: Presim progres për zgjerimin pas zgjedhjeve në Bullgari

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2021, 15:36 | Ballkani
BE diskuton për Ballkanin, Varhelyi: Presim progres për zgjerimin pas

Procesi i zgjerimit është mjeti më i fuqishëm i BE-së për të siguruar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Kështu u shpreh komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi në nisje të takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, që ndër të tjera diskutojnë sot edhe për situatën në rajon.

Varheli shpreson se do të ketë përparim të shpejtë në terren sa i përket çeljes së negociatave me Tiranën dhe Shkupin që këtë vit, pas zgjedhjeve në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut. “Duhet të bëjmë përpara me politikën e zgjerimit që është edhe mjeti ynë më i fuqishëm. Pas zgjedhjeve shpresojmë të shohim progres të shpejtë në terren. Nga ana jonë ne jemi gati të finalizojmë çështjen e mbetur pezull të konferencës së parë ndërqeveritare me Tiranën dhe Shkupin, këtë vit”, tha ai.

Varhelyi paralajmëroi edhe zbatimin e shpejtë të planit për investime në Ballkanin Perëndimor. Hapja e negociatave është bllokuar nga Bullgaria e cila ka ngritur kundërshti lidhur me gjuhën dhe trashëgiminë historike të Maqedonisë së Veriut.

Sakaq, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josef Borrel, e vlerëson si jo të mirë situatën në Ballkanin Perëndimor. “Do të diskutojmë sot edhe për situatën, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë ku ka tendenca që po minojnë unitetin e vendit dhe pengon ecurinë e vendit drejt BE”, tha ai. Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do te jetë gjithashtu në fokus, dhe në përgjithësi situata në Ballkan, e cila nuk është veçanërisht e mirë. Në prag të këtij takimi, është përgatitur edhe një dokument për situatën në Ballkanin Perëndimor, qe po shërben si bazë për diskutimet. Në të thuhet se në disa pjesë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, situata politike paraqet “sfidë në rritje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos