
Bashkimi Evropian do të anashkalojë Poloninë dhe Hungarinë, nëse nuk e miratojnë deri të martën buxhetin. Deklarata vjen nga një diplomat i lartë i BE-së, sipas të cilit, nëse të dyja vendet nuk e heqin deri të martën veton e tyre për buxhetin e BE-së, unioni duhet ta miratojë atë pa këto dy vende anëtare.
Varshava dhe Budapesti, që ndodhen nën vëzhgimin e BE-së për minimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe medias, po bllokojnë buxhetin dhe fondin e rimëkëmbjes, sepse janë kundër mekanizmit të ri të BE-së që lidh financimin me respektimin e shtetit të së drejtës dhe normave demokratike.
“Ne duhet të kemi një marrëveshje nga Hungaria dhe Polonia deri sot ose nesër. Nëse nuk e bëjmë këtë, do të duhet të kalojmë në skenarin B”, tha diplomati i BE-së për Reuters.
Skenari B, nënkupton ngritjen e fondit të rigjenerimit të 750 miliardë eurove të BE-së për grante dhe hua, për vetëm 25 shtete anëtare, pa Poloninë dhe Hungarinë, në mënyrë që të tjerët të marrin paratë e nevojshme për të ndihmuar në heqjen e ekonomive të tyre nga rënia e koronavirusit në vitin 2020.
Sipas këtij skenari, buxheti i ardhshëm afatgjatë i BE-së prej 1.1 trilionë eurosh do të mbetej i bllokuar. BE-ja do të financonte veten përmes një buxheti të përkohshëm në 2021-shin që do të ndalonte shpenzimet dhe fondet për projekte të reja dhe për ato ekzistuese.
Ndërsa kjo do të prekte të gjitha vendet e BE-së, do të ishte më e dhimbshme për Poloninë dhe Hungarinë, të cilët janë përfitues të mëdhenj neto të fondeve të BE-së.
Diplomati i lartë i BE-së tha se baza ligjore e zgjedhur për ngritjen e fondit, do të përcaktojë sa shpejt mund të bëhet, por që nuk do të duhen muaj.
Komisioni Ekzekutiv Evropian ka thënë se kjo është bërë nën të ashtuquajturin proces të "bashkëpunimit të zgjeruar", të parashikuar nga ligji i BE-së për projekte që të paktën nëntë vende duan të ndjekin, por të tjerët jo, e ndaj fondi mund të ngrihet për disa javë.
Kjo do të thotë se paraja e gatshme mund të fillojë të rrjedhë në mes të vitit 2021, siç ishte parashikuar fillimisht. (A2 Televizion)