BE mund të kthejë vizat për shkak të azilkërkuesve, Bumçi: Problem që nuk është adresuar nga qeveria

Nga A2 CNN
30 Shtator 2021, 13:48 | Politikë
BE mund të kthejë vizat për shkak të azilkërkuesve,

Të dhënat e largimit masiv të shqiptarëve nga vendi këtë 8-vjeçar dhe sidomos në tremujorin e fundit janë për shkak të keqqeverisjes, mungesës së punës dhe shpresës, si edhe për shkak të shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut. I ftuar në studion e "Ditari" në A2 CNN ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, tha se Shqipëria është vendi i parë për azilkërkuesit në Europë, që krahasohet me Sirinë dhe Afganistanin.

“Largimi masiv i shqiptarëve arriti kulmin që me ardhjen e kësaj qeverie. Kjo është përmbysje e asaj që ndodhi në 2014, popullsia u rrit, pati rikthim të emigrantëve nga Greqia e Italia dhe në 2014 filloi largimin masiv. Jemi vendi i parë për aplikim për azil, jemi krahasuar me Sirinë e Afganistanin. Ky shqetësim ka ardhur në mënyrë të qëndrueshme e ka ngritur Franca me të miturit deri te kërkesa e Holandës dhe pati kërkesë zyrtare drejtuar KE-së për të vënë mekanizmin e pezullimit të lëvizjes së lirë. KE kontakton vendet anëtare dhe kërkon të merren masa. Kur Gjermania flet në vetë të parë nuk ka ç’të presë më. Kur flet vetë do të thotë që nuk ke dëgjuar asnjë paralajmërim dhe nuk ke marrë asnjë masë”.

https://a2news.com/2021/09/29/e-zhgenjyer-nga-kerkesat-e-paligjshme-per-azil-edhe-nga-shqiperia-gjermania-kercenon-me-rikthimin-e-vizave/

Sipas Bumçit, shqetësim për vendet europiane janë azilkërkuesit, shkeljet e lejeqëndrimit dhe fenomenet e krimit që mund të detyrojnë vendet e unionit të vënë në punë mekanizmin e pezullimit të vizave me vendin tonë. Ai thekson se këto fenomene nuk kanë marrë adresim nga qeveria shqiptare.

“Në 3-mujorin e dytë 365 shqiptarë kanë aplikuar për azil në Francë, nuk kemi të bëjmë me fenomen episodik, por me largim masiv të shqiptarëve. Kemi një numër të konsiderueshëm që kanë shkelur vizën, kemi 60 mijë të mitur në Europë. Këto janë të dhëna të pakontestueshme. Një problemi që nuk ka marrë adresim nga pala shqiptare dhe përveç kësaj kemi edhe problemin e kriminalitetit që e detyrojnë një vend të marrë këto masa. Azilkërkuesit, shkelja e vizës dhe fenomenet e krimit dhe këto kanë krijuar shqetësim për vendet euopiane. Shqipëria është bazë operacionale e krimit të organizuar. Jemi në listën e zezë për pastrimin e të ardhurave nga aktivitetet kriminale. Kërcënimi që vjen me Gjermaninë tregon që ka sosur durimi. Varfëria është kryesore, mosgjetja e punës, mossiguria për të mbajtur familjen, perspektiva për të rinjtë dhe prandaj ne kemi kapur kuota të jashtëzakonshme, 4 herë më shumë se Kosova dhe 8 herë më shumë se Serbia. Ne kemi të dhëna që nuk na lejojnë interpretime alternative. Kemi braktisje masive, nuk ka të rinj fshatrave të Shqipërisë, nuk kemi krah pune. Kemi fenomen të qëndrueshëm të largimit masiv. Bëhet fjalë për të drejta themelore që kjo qeveri nuk i ka ruajtur, dhunë e paimagjinueshme. I gjithë faji është i Edi Ramës, nuk ka problem Europa”.   (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/09/29/probleme-me-azilkerkuesit-be-mund-te-ktheje-vizat-per-disa-shtete-te-ballkanit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos