BE ndihmon vendet e varfra, skemë për shpërndarjen e tepricave të vaksinave anti-covid

Nga A2 CNN
19 Janar 2021, 15:10 | Aktualitet
BE ndihmon vendet e varfra, skemë për shpërndarjen e tepricave

Komisioni Europian kërkon të ngrejë një mekanizëm që do të lejojë shpërndarjen e tepricave të vaksinave anti-covid me vendet e varfra fqinje të Ballkanit Perëndimor dhe Afrikën.

Njoftimi erdhi nga zyrtarët e Brukselit, teksa kjo lëvizje mund të dëmtojë skemën globale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Vendet e BE-së kanë një popullatë prej 450 milionë banorësh dhe deri më tani kanë siguruar rreth 2.3 miliardë vaksina për Covid-19 nga 6 kompani të ndryshme, megjithatë shumica nuk kanë marrë ende aprovimin nga rregullatori europian.

“Përmes mekanizmit të ndarjes së vaksinave, ne do të ndihmojmë grupe prioritare në Ballkanin Perëndimor dhe vendet fqinje, gjithashtu edhe të profesionistëve në shtetet me të ardhura të ulëta, veçanërisht në Afrikë, në mënyrë që popullata më vulnerabël të ketë qasje te vaksinat”, deklaroi Stella Kyriakides, komisionere e BE për shëndetësinë.

Ajo shton se asnjë vend nuk do të jetë i sigurt dhe asnjë ekonomi nuk do të jetë plotësisht e rimëkëmbur derisa virusi të jetë nën kontroll në të gjitha kontinentet.

“Variantet e reja të virusit e provojnë këtë”, përfundoi zyrtarja e BE-së. Është e paqartë nëse Brukseli do t’i dhurojë apo shesë ato doza. Vendimi për ndarjen e vaksinave do të merret nga qeveritë e Bashkimit Europian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos