
Presidenti I Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjenden në Bruksel, me ftesë të shefit të politikës së jashtme të BE, Josef Borrell për gjetjen e një rrugëdalje nga kriza aktuale.
Megjithatë ka ende paqartësi nëse dy liderët do të ulen në të njëjtën tryezë apo do të zhvillojnë vetëm takime të ndara me përfaqësuesit e BE. Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian tha se Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës, pasditen e së enjtes.
Më pas është lajmëruar një konferencë për shtyp e shefit të diplomacisë europiane. Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, gjatë një prononcimi për mediat nuk e saktësoi nëse do të ketë ose jo një takim trepalësh, por theksoi se diskutimet do të fokusohen në shtesnionimin e situatës në veriun e vendit, në mënyrë që palët t’i rikthehen zbatimit te marrëveshjes drejt normalizimit.
“Unë nuk kam thënë se nuk do të ketë takim mes tyre. Me rëndësi është se ata sot janë në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesit të lartë. Të shohim se si do të shkojnë takimet, e pastaj mund të dimë më shumë. Unë nuk do të paragjykoj se si do të shkojnë gjërat. Është pak herët. Diskutimet e pasdites së sotme janë një mundësi që u ofrohet të dy liderëve për të treguar gatishmërinë për të qenë konstruktiv dhe për të ulur tensionet. Përgjegjësia për të gjetur zgjidhje është e palëve dhe ne presim që ato të angazhohen në mënyrë konstruktive, kjo është ajo që mund të them tani”, tha ajo.
President Vuçiç tha më herët, se nuk do te takohet me kryeministrin Kurti, por vetëm me Borrell. (A2 Televizion)