Ja si u rrëmbyen policët e Kosovës nga Serbia, Sveçla publikon videon

Nga A2 CNN
21 Qershor 2023, 14:35 | Kosova
Ja si u rrëmbyen policët e Kosovës nga Serbia, Sveçla

Kosova paraqet prova konkrete që vërtetojnë se 3 policët e saj janë rrëmbyer nga forcat speciale të Serbisë, brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, publikoi një video, në të cilën detajohet plotësisht se si ka ndodhur ngjarja në veri të vendit.

Fillimisht, tregohet se ku ka ndaluar makina e policisë dhe se efektivët kishin ecur në këmbë deri në dy gropa të mëdha që janë hapur për të bllokuar një rrugë kontrabande. Pikërisht në atë pikë, brenda territorit të Kosovës, kishte hyrë xhandarmëria serbe.

Një rrëmbim i planifikuar dhe akt kriminal. Kjo video tregon se si forcat serbe, me urdhër të drejtpërdrejtë nga Vuçiç, rrëmbyen zyrtarët e policisë së Kosovës, thellë në territorin e Republikës së Kosovës. Saktësisht 1 kilometër larg kufirit. Serbia duhet të ndalojë dezinformatat dhe të lirojë oficerët tanë menjëherë.

Xhelal Sveçla, ministër i Brendshëm i Kosovës

Në pamjet filmike, dokumentohet dhe prezenca e mjeteve të forcave speciale serbe, që provojnë se ata kanë shkelur kufirin. Shenjat e lëna në rrugë, tregojnë që ata janë kthyer sërish në territorin e Serbisë, gjë e cila sipas autoriteteve të Kosovës, konfirmon se gjithçka ka qenë e planifikuar mirë. Gjithashtu, në video paraqiten prova për vendosje pengesash në rrugë për të bllokuar automjetet e policisë së Kosovës.

Pas shqiptimit të masës së paraburgimit për 30 ditë nga një Gjykatë në Kralevë, 3 policët u vizituan nga shefi i zyrës së ndërlidhjes të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, i cili mësoi për versionin e tyre të ngjarjes dhe gjendjen shëndetësore.

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, konfirmuan se bëhet fjalë për një rrëmbim në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë. Gjithashtu, sqaruan se ata nuk janë keqtrajtuar nga policia serbe, por nuk u jepet mjaftueshëm ushqim, ndërsa për njërin prej tyre mungojnë ilaçet e domosdoshme. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/06/20/policet-e-kosoves-jane-keqtrajtuar-vucic-nuk-eshte-e-vertete-hane-rrush-dhe-pine-cola/
https://a2news.com/2023/06/20/jam-gati-te-shkoj-ne-bruksel-kurti-ulja-e-tensioneve-nenkupton-lirimin-e-policeve/

A2 CNN Livestream

Latest Videos