Takimi Kurti-Vuçiç, BE: Nuk kemi marrë konfirmim, por jemi optimistë

Nga A2 CNN
21 Qershor 2023, 16:49 | Kosova
Takimi Kurti-Vuçiç, BE: Nuk kemi marrë konfirmim, por jemi

BE nuk ka marrë ende një përgjigje nga liderët e Kosovës dhe Serbisë lidhur me ftesën për një takim gjatë kësaj jave në Bruksel. Megjithatë, zëdhënësi Peter Stano u shpreh optimist se shpejt do te kene një përgjigje pozitive, dhe mund të kenë një datë për mbajtjen e takimit për menaxhim të krizës. 

“Ne kemi folur mjaft sa i përket pritshmërive tona, pasojave dhe hapave të mundshëm. Gjëja kryesore është të kemi një takim këtu në Bruksel dhe rreth kësaj, në këtë moment, nuk kam asgjë për të saktësuar. Megjithatë ka ende kohë deri në fund të javës. Po presim dhe shpresojmë se mund ta kemi datën dhe kohën e takimit për të diskutuar më pas modalitetet. Nuk kemi kohë për të humbur. Është koha për veprime e jo për fjalë dhe spekulime”, tha Stano.

Burime diplomatike në Bruksel, që citohen nga Radio Evropa e Lirë thonë se takimi mund të zhvillohet më 22 ose 23 qershor, ndërsa përmendin po ashtu mundësinë që Kurti dhe Vuçiç të mos kenë takim direkt, por vetëm bisedime dypalëshe me Borrell.

Bashkimi Europian ka paralajmëruar palët se do të ketë pasoja nëse nuk tregojnë përgjegjësi dhe gatishmëri për takim, dhe për hapa të mëtejshëm për zbutjen e tensioneve.

Një ditë më parë, Kurti tha se është “i gatshëm dhe i interesuar” të shkojë në Bruksel, por se duhet të flitet për çështjen e 3 policëve të arrestuar nga Serbia.

Sakaq, presidenti serb deklaroi gjatë një takimi me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, se nuk do të marrë pjesë në takimin në Bruksel deri në plotësimin e kushteve të Beogradit; që janë tërheqja e kryetarëve shqiptarë dhe policisë nga objektet e komunave veriore, dhe ndalimi i arrestimit të serbëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos