
Natën e ndërrimit të viteve Emiliana Shtëmbari ka prekur lumturinë, krijesën e saj. 29-vjeçarja, ka harruar çdo dhimbje dhe thotë se jeta e saj ka hyrë në një dimension tjetër.
Është bërë nënë për herë të parë, por edhe personazhi i këtij fillim viti pasi solli në jetë fëmijën e parë të 2019-s. Është djalë, i shëndetshëm, mbi 3 kilogramë dhe me një emër shqiptar të zgjedhur nga të dy prindërit, Elis.
“Në muajt e fundit të shtatzënisë çdo ditë mendoja kur do jetë ai momenti që unë do ta kem në krah, kur mund ta ndjej aromën e tij, por është një ndjesi që as nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë”, thotë Emilina. “Është ndjenja më e bukur të bëhesha nënë, me këtë bebushin kaq të bukur që unë kam sjellë në jetë”.
Elisi lindi në minutat e para të 2019-s edhe pse nuk ishte parashikuar kjo datë sipas nënës së re. “Edhe 1 janari ishte një datë e mundshme, por nuk e kishim menduar që do të na rastiste kështu. Ishte një dhuratë e bukur”.
Mëngjesin e parë të Vitit të Ri, familjes Shtëmbari i është dorëzuar në mënyrë simbolike çeku prej 40 mijë lekësh të rinj që, nga 1 janari, e përfiton çdo nënë për fëmijën e parë. Pas disa orësh Emilina do të dalë nga materniteti, ndërsa 1 janari për të nuk do të jetë më vetëm dita e parë e një viti të ri. (A2 Televizion)