Uragani Dorian, me të gjithë forcën e tij prej stuhie të kategorisë së pestë gjendet në Ishujt Bahamas, ku po shkarkon gjithë zemërimin e tij. Stuhia më e fuqishme që godet ishujt Karaibe që prej fillimi të regjistrimit të të dhënave, shkuli çatitë e godinave dhe solli përmbytje të rënda.
Me erëra deri në 290 km në orë, po gjeneron dallge tepër të rrezikshme. Ishulli i parë i prekur nga stuhia ishte Abako, i cili u zhyt në ujë nga dallgët deri në 7 metra lartësi. Uji mbuloi makinat dhe la banesat pa çati.
Erërat e forta dhe reshjet e dendura goditën më pas Grand Bahamas. Të gjithë turistëve u është kërkuar të largohen. “Lutuni për ne”, tha kryeministri i Ishujve Bahamas Hubert Minnis.
Ky është uragani më i fortë i regjistruar ndonjëherë në Atlantik që prej “Alen”, në 1980-tën
“Kjo është ndoshta dita më e vështirë në jetën time, në të cilën më duhet t’i drejtohem popullit të Bahamasit. Dua thjesht të them se si fizikan jam trajnuar për shumë gjëra por kurrë për diçka të ngjashme. Por përballemi më një uragan të paprecedentë në histori”, deklaroi kryeministri i ishujve. Pak informacion pati gjatë natës për ishujt e prekur të Bahamas, mes ndërprerjes së energjisë elektrike dhe aksesit të kufizuar në internet.

Uragani po lëviz me ngadalë me rreth 9 km në orë, drejt perëndimit dhe mund të godasë brigjet lindore të shteteve të bashkuara. Florida, Georgia, dhe dy Karolinat kanë shpallur gjendjen e emergjencës.
Qeveria amerikane ka hapur 14 qendra strehimi dhe ka vendosur dhjetëra kisha, shkolla dhe godina të tjera në listën e vendstrehimeve të emergjencës. Mijëra të evakuar në Florida, ku janë mbyllur gjithashtu edhe shkollat. (A2 Televizion)