Belgjika nis gjyqin më të madh penal në historinë e saj

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2022, 11:06 | Bota
Belgjika nis gjyqin më të madh penal në historinë e saj

Gjashtë vjet e gjysmë pas sulmeve terroriste që lanë pas vdekje, plagosjeje dhe tronditjeje, Belgjika po fillon gjyqin më të madh penal në historinë e saj.

Gjithsej 32 persona u vranë dhe mbi 340 të tjerë u plagosën në shpërthimet me bomba në orët e pikut në aeroportin e Brukselit dhe në sistemin e metrosë së qytetit.

Dhjetë persona do të përballen me akuza në lidhje me vrasjen e 32 personave në mars 2016, kur bomba shpërtheu në aeroportin e Brukselit dhe më pas në një tren metroje që po kalonte nëpër lagjen evropiane të qytetit.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në Belgjikë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe çoi në vigjilje, protesta, kontrolle kufitare, hetime parlamentare dhe madje edhe evakuim të pjesshëm të termocentraleve bërthamore të vendit.

I dyshuari kryesor në gjyq do të jetë Salah Abdeslam, i cili tashmë është dënuar në një gjyq në Francë për pjesëmarrjen e tij në sulmet terroriste në Paris në 2015, ku u vranë 130 njerëz. Ai u dënua me burgim të përjetshëm, pa lirim me kusht.

Nëntë nga të pandehurit do të jenë të pranishëm në gjykatë. Një i dhjetë, Oussama Atar, po gjykohet në mungesë, megjithëse besohet se ai mund të jetë vrarë në Siri.

Abdeslam është një nga pesë të pandehurit që u dënuan nga gjykatat franceze, por që tani përballen me dënime të mëtejshme në emër të autoriteteve belge. Ata të gjithë dyshohet se kanë qenë të përfshirë në të dyja grupet e sulmeve, duke vepruar në emër të Shtetit Islamik.

Gjyqi do të mbahet në ndërtesën e ish-selisë së NATO-s në Bruksel. Miliona euro janë shpenzuar për krijimin e objekteve të afta për të pritur një gjyq të një profili kaq të lartë.

Viktimat dhe familjet e tyre janë ankuar prej kohësh se u është dashur shumë kohë që të shohin drejtësinë në vend dhe se vëmendja u është kushtuar autorëve dhe jo viktimave.

Autoritetet belge kanë pohuar se procesi i sjelljes së të pandehurve në gjykatë ka qenë jashtëzakonisht i ndërlikuar, si ligjërisht ashtu edhe logjistikisht, dhe se dhënia e drejtësisë në raste të tilla mund të zgjasë me vite.

Rreth 1000 njerëz u thirrën si kandidatë të mundshëm për të qenë anëtarë të jurisë. Ai pritet të zgjasë deri në vitin 2023 dhe të kushtojë mbi 30 milionë euro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos