Real Madrid mori një fitore të vuajtur 2-1 kundër Eibar, në “Santiago Bernabeu”, falë një dygolëshi të Karim Benzema.
Ishin miqtë ata që shënuan të parët në minutën e 39, kur Marc Cardona devijoi bukur topin ppas krosimit të Escalante.
Çerek ore pas fillimit të pjesës së dytë Benzema shënoi golin e barazimit duke kërcyer më lart nga të gjithë pas krosimit të Marco Asensio dhe nuk i la asnjë mundësi reagimi portierit kundërshtar duke goditur fort me kokë. Fillimisht goli u konsiderua në pozicion jashtë loje, por pas ndërhyrjes së VAR, u quajt i vlefshëm.
Nëntë minuta nga fundi ishte përsëri francezi që shënoi për madrilenët, duke i dhënë trajnerit Zidane fitoren e tretë pas rikthimit në drejtim të skuadrës. Edhe këtë herë numri 9 shënoi me kokë, duke shfrytëzuar më së miri krosimin e Toni Kroos, ky i fundit i futur në lojë në të 77’në vend të Gareth Bale.

Për t’u veçuar fakti që publiku madrilen vërshëlleu uellsianin për gjatë gjithë kohës që ishte në lojë. Gjithçka nisi në minutën e tretë, kur Bale nuk kontrolloi si duhej një top, për të sjellë edhe reagimin e tifozëve. (A2 Televizion)