Beogradi përfshin rezervistët në “manovrat” ushtarake, shefi i KFOR-it takohet me komandantin e ushtrisë serbe

Nga A2 CNN
25 Tetor 2022, 15:26 | Ballkani

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, u takua në Beograd me shefin e Ushtrisë së Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviç, me të cilin ka biseduar mbi situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin në dobi të stabilitetit rajonal.

Në një komunikatë për media, KFOR njoftoi se në takim u bisedua edhe për stërvitjen rutinë në Serbi të quajtur “Manovrat 2022”, organizuar nga Forcat e Armatosura të Serbisë e cila do të zgjasë deri më 6 nëntor.

Gjeneralmajor Ristuccia theksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Ai shtoi se KFOR-i vazhdon të ofrojë kornizën e sigurisë së nevojshme që dialogu i ndërmjetësuar nga BE midis Prishtinës dhe Beogradit të ecë përpara.

Gjenerali serb Milan Mojsiloviç dhe gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia

Sipas informacionit zyrtar në faqen e Ministrisë serbe të Mbrojtjes, stërvitja përfshin forcat tokësore dhe ajrore. “Në stërvitje do të marrin pjesë edhe forca rezerviste, të cilat do të kryejnë stërvitje për të rifreskuar njohuritë që kanë marrë gjatë shërbimit ushtarak”, thuhet në njoftim.

Serbia është deklaruar ushtarakisht neutrale, por në disa raste ka zhvilluar stërvitje të përbashkëta me Rusinë dhe me NATO-n. Vendi është kritikuar së tepërmi për shkak të refuzimit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos