
Teksa numërimi mbrapsht drejt kuvendit të 11 dhjetorit tashmë ka nisur, Sali Berisha ka shtuar sulmin ndaj Lulzim Bashës, duke e berë edhe më konkret me dosje dhe fakte që, sipas tij, mbajnë peng kryetarin e partisë.
Nga foltorja e Devollit, Sali Berisha paralajmëroi të tjera afera që, sipas tij, pritet të dalin në dritë: “Të japë shpjegime për Toyota Yaris, të japë shpjegime për dosjen Muzinë, sikundër e garantoj se me radhë do të dalin edhe dosje të tjera”.
Kryedemokratin e akuzoi edhe për bashkëpunim me kryemininstrin për të fshehur dosjet, ndërsa i rikujtoi procesin e hapur me drejtësinë belge: “Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë jep dritën jeshile për ndjekjen penale të Bashës, me kërkesë të autoriteteve belge. Kjo ka ndodhur në vitin 2019, ka vazhduar në vitin 2020 dhe 2021. Ka kërkuar marrjen e tij me forcë, sipas burimeve të besueshme, në datën 17. Prokurorët belgë e presin në zyrën e tyre”.
Sipas tij, pikërisht prej këtyre dosjeve Basha detyroi grupin parlamentar të votonte pro ligjit të pastrimit të parave, që kaloi të enjten në Parlament.
Berisha është ende i paqartë për vendin se ku do të mbahet kuvendi i 11 dhjetorit, ndërsa menjëherë pas tij paralajmëroi të tjera aksione politike: “Duam ta mbajmë në “Air Albania”, por varet nga moti. Pas datës 11, shpallim datën e protestës kombëtare”.
Foltorja e radhës do të mbahet të dielën, me demokratët që jetojnë në SHBA. (A2 Televizion)