
Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi, deklaroi në studion e “Absolut 4” me Blendi Salaj, në A2 CNN, se “mandati i tretë, duke qenë risi në politikën shqiptare, përveçse konsumit normal të pushtetit, sigurisht që ka edhe sfida të tjera të mëdha me të cilat duhet të përballesh”.
“Nëse në mandatin e parë kemi pasur justifikimin “kështu e gjetëm”, në mandatin e tretë matesh me veten. Është mandat me sfida të vështira, por besoj se me mënyrën se si e kemi nisur, dhe me buxhetin e sapo aprovuar, mendoj se jemi në rrugën e duhur për zgjidhjen e disa sfidave që i konsiderojmë të rëndësishme”, tha Pëllumbi.
Sipas tij, “kur vjen në pushtet, bën premtime që përpiqesh t’i mbash, por jo gjithmonë premtimet arrijnë të realizohen, pasi mandatet shoqërohen edhe me të papritura, siç ndodhi në mandatin e dytë”, duke iu referuar tërmetit dhe pandemisë.
“100-ditëshi i parë kishte të bënte me premtime. Në mandatin e dytë dhe të tretë, qeveria nuk është gjykuar më për ato që ka thënë në fushatë, por për ato që ka bërë një mandat më parë. Përsa kohë të kanë votuar në mandatin e dytë dhe të tretë, do të thotë që këto mandate kanë qenë të suksesshme. Sigurisht që ka ende probleme me pronat apo legalizimet, por kemi bërë hapa përpara. Territori është marrë nën kontroll, nuk ndërton më kushdo ku e si të dojë. Shëndetësia falas është duke u bërë, është në rrugën e duhur. Nuk them që këtu “lulëzon” gjithçka, por nuk duhet nxirë e gjitha”, u shpreh Arben Pëllumbi. (A2 Televizion)