
Në studion e "Dita jonë", kandidati për kryetar në Partinë Demokratike, Ervin Kulluri, u shpreh se PD-ja ka nevojë për një rrugë të tretë larg Lulzim Bashës dhe Sali Berishës dhe, sipas tij, shumë demokratë kanë nisur ta mbështesin dhe shprehin këtë gjë.
Kulluri e cilësoi Bashën si një humbës serial dhe dështak politik dhe bëri bashkëfajtor edhe Berishën që në 4 vitet e fundit ka miratuar në heshtje të gjithë vendimmarrjen e tij.
“Janë shumë njerëz që duan ta shohin të ardhmen e PD-së përtej Bashës dhe Berishës. Ka pasur një moment të sikletshëm për ne që kemi punuar në qeverinë Berisha edhe pse unë e vlerësoj. Momenti më problematik në lidershipin e Berishës ka qenë heshtja në këto 4 vitet e fundit. Pasi miratimi në heshtje i atyre që kanë ndodhur e bëjnë po aq fajtor sa Lulzim Bashën. PD-ja ka nevojë për një rrugë të tretë. Nuk ka nevojë as për t’u kthyer, as për të vazhduar të konfirmojmë një humbës serial dhe një dështak politik të paprecedentë në historinë e PD-së.
Ata që thonë që nuk e dinin dhe nuk e kuptonin se çfarë po ndodhte në PD, nuk po thonë të vërtetën. Nuk ka nevojë që ta themi ne këtu, që përjashtimet e 28 mijë demokratëve për zgjedhjet për 2021 janë një turp për PD-në. Kush doli të bënte avokatinë e këtyre njerëzve? Vetëm Grupimi për PD. Në 2017, një njeri ka votuar 7 herë për Lulzim Bashën. Pse vetëm për Sali Berishën është marrë vendim personal duke u shkelur statute? Ky është vendimi i disatë antistatutor dhe antiligjor. Në politikë “reset-ët” nuk janë zgjidhje. Rikthimi aty ku ishim nuk çon përpara”, u shpreh Kulluri. (A2 Televizion)