Berisha fton të gjithë në “revolucion”: Duhet durim, nuk fitohet në një ditë

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2023, 19:08 | Politikë
Berisha fton të gjithë në “revolucion”: Duhet durim,

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje të gjithë kryetarëve të degëve të partisë në Tiranë që të mobilizohen për të qenë të pranishëm në çdo seancë në dyert e Parlamentit, për të vijuar serinë e protestave, të etiketuara prej tij si revolucion.

Berisha falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në protestën e të shtunës që, sipas tij, jehoi në botë më shumë se çdo protestë tjetër që ka organizuar. “Ishte nisja më dinjitoze e revolucionit tonë demokratik paqësor”, tha Berisha në një mbledhje me kryetarët e degëve të PD në Tiranë.

“Siç ishte Shqipëria në syrin e ciklonit prej dy javëve, me protestën tonë ishte Edi Rama me McGonigal. Nuk kishte sukses më të madh ndërkombëtar sesa ky. Treguam se ka një popull që s’pajtohet kurrë me aktet kriminale të Edi Ramës dhe se është i vendosur ta arkivojë në banesën e tradhtarëve dhe hajdutëve këtë kriminel”.

“Ndaj dhe qytetarët e Tiranës, demokratët e Tiranës janë të ftuar dhe kërkojnë që të bëjnë çdo përpjekje për të qenë te Parlamenti në çdo seancë. Ai është institucioni i krimit monstruoz kushtetues. Aty shkelmohet çdo seancë Kushtetuta e vendit. Aty shkelmohen në çdo seancë të drejtat e 620 mijë shqiptarëve që kanë votuar kundër kësaj qeverie. Protesta te Parlamenti është protestë për të mbrojtur Kushtetutën e vendit. Duhet durim. Revolucioni nuk fiton me një ditë, as me një muaj. Revolucioni paqësor triumfon”, tha ai.

Protesta e radhës është paralajmëruar të zhvillohet të hënën, para Parlamentit, ku gjithashtu është në program të zhvillohet edhe një seancë plenare. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/11/revolucioni-vijon-te-henen-pd-kerkon-doreheqjen-e-rames-berisha-largohu-o-beseprere/
https://a2news.com/video/ben-andoni-protestat-e-berishes-e-metes-nuk-i-kane-kaluar-dot-permasat-e-bashes-e-kryemadhit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos