
Një gjuhë ekstremiste dhe paradoksale, e ka cilësuar ish-kandidati demokrat në zgjedhjet e 25 prillit Agim Baçi, ligjërimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Në studion e Debati në A2 CNN nga Alba Alishani ai shprehet se fushata e Berishës ka qenë një lëvizje marksiste që nuk ka lidhje me të djathtën dhe konservatorizmin. Sipas tij Berisha ka vetëm hallin e tij, duke e vënë PD-në para një sfide të madhe.
“Nga ligjërimi që ka bërë Berisha duke përmendur fjalën revolucion që nuk ka lidhje as me të djathtën, as me konservatorizimin duke përmendur që do ketë pasoja dhe fushata linçuese ka qenë një lëvizje marksiste nuk ka lidhje me të djathtën dhe jo me konservatorizimin. Berisha duket se ka vënë vetëm veten e tij në plan të parë; do të ketë garë, po unë do jem kryetari, po unë do jem në kryeministër. Berisha ka vetëm hallin e tij dhe është një sfidë e madhe dhe shaka e madhe me PD. Kanë bërë akuza që as kundërshtarët nuk i kanë bërë. Nuk arrij të kuptoj që një ish-drejtues të jetë kaq revolucionar dhe përjashtues dhe kjo bie ndesh me gjithçka thotë. Gjuha që përdor është paradoksale se gjithçka që ka thënë është në kundërshtim të plotë. Kjo gjuhë i heq mundësinë e pajtimit mes palëve dhe gjithçka që thotë është paradoksale me këtë lloj gjuhe”.
Baçi thekson se vendimi i Bashës për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 18 dhjetor, ishte i detyruar në këtë moment, kur PD ndodhet shumë pranë përçarjes. Sipas tij pas 30 vitesh Berisha nuk mund të jetë shpresë për PD, pasi mungesa e demokracisë në komunikim në PD sot, është pasojë e mënyrës si ka funksionuar Berisha në këto vite.
“Edhe Basha nuk ka pse të mbledhë strukturat kur ndodh kjo gjë, duhet të kishte ndërmarrë veprime më të shpejta. Vendimi i sotëm i Bashës e vuri Berishën para faktit të kryer që këtu janë institucionet. Çdo të bëjë Berisha me institucionet? Ishte i detyruar në këtë moment se do të kishim një lloj përplasjeje. Jemi shumë afër përçarjes së PD, se gjuha e Berishës ka qenë ekstremiste, pengmarrja, peng kryetari, por nuk shoh një përpjekje për bashkimin e PD. Është në kundërshtim me atë që thotë. Pas 30 vitesh Berisha nuk është shpresa e PD dhe pasoja e mungesës së demokracisë në komunikim në PD sot është mënyra si ka funksionuar Berisha në këto vite”.
Si alternativë të zgjidhjes në PD, Baçi nuk shikon ata që kanë qenë pjesë e problemit, ku thekson që Berisha do ta çojë pjesën e vet tragjike deri në fund. Ai shton se Partia Demokratike ka plot emra që mund të marrin në dorë fatet e saj.
“Ato që kanë qenë pjesë e problemit nuk mund të jenë zgjidhja e problemit. Partitë popullore do ishte ideale. Por besoj që Berisha do e çojë pjesën e vet tragjike deri në fund. PD ka emra që janë seriozë dhe mund ta marrin fatin e saj në dorë dhe të japin zgjidhje interesante. Është paradoks që Berisha të jetë zgjidhje pas 30 vjetësh. Se nënkupton që PD në këto vite të mos ketë lëvizur fare. Të jetë një parti që të mos jetë konservatore dhe jo e paqartë siç ka qenë sot. Nëse palët duan që të jenë bashkë duhet të gjejnë zgjidhje, të ulen dhe komunikojnë por nuk di sa se gjuha e kësaj jave më ka hequr shpresat”.
Por nëse mbahen të dy Kuvendet e propozuara nga Berisha dhe Basha, për Baçin kjo do të jetë një fatkeqësi për PD-në që do të zgjidhet me procese gjyqësore, ku sipas tij strukturat do të prevalojnë mbi dëshirat manifestive dhe gjasat që Berisha të vijë në pushtet janë zero.
“Nëse mbahen dy kuvendet do vazhdojë në gjykatë dhe Është fatkeqësi për PD që do i zgjidhë këto me procese gjyqësore dhe do të humbë Berisha, por më shumë do të humbë PD dhe nuk e di sa e rikuperueshme do të jetë. Gjasat që ai të vijë në pushtet janë zero. Kemi një manifestim më 11 dhjetor që ka shpërfillur strukturat dhe një Kuvend që do ta shohim si do të vijojë, por strukturat prevalojnë mbi dëshirat manifestive, aq më tepër që Berisha këmbëngul që firmat mos dorëzohen te sekretariati”.
Veç ligjërimit, paradoksin e Berishës, Baçi e shikon edhe në përballjen me SHBA, ku ngre pyetjen sesi ka mundësi që Biden i cili është në të njëjtën linjë me Berishën sa i takon Kosovës, firmos për shpalljen non grata të tij.
“Por ne nuk dimë si do të jetë fati i Berishës me përballjen me SHBA. Fakt SHBA ka qenë busull e rëndësishme për ne, ne duhet ta respektojmë siç na ka pëlqyer që na futi në NATO apo Kosovën e pavarur. Lobingjet marrin fund në derën e sekretarit të shtetit. Ka një paradoks si ka mundësi që Biden, që firmos non grata është në të njëjtën linjë me mosndarjen e Kosovës. Ka shumë paradokse”.
Por Baçi shpreson që pas kësaj beteje PD nuk do të jetë më e njëjta, “nuk do të jetë burokratike do të jetë më komunikuese me anëtarët e saj se çdo problem i ka dalë nga mungesa e komunikimit që ka trashëguar Berisha dhe e ka vijuar Basha”. (A2 Televizion)