
Studiuesi Afrim Krasniqi deklaroi në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, se përplasja në Partinë Demokratike mund të zgjidhet me ndihmën e Partisë Popullore Evropiane.
“Kush do të ishte një zgjidhje kompromisi? Unë do t’i ftoja të dyja palët rivale që të heqin dorë nga protagonizmi ekstrem dhe t’i drejtohen Partisë Popullore Evropiane. Një delegacion i saj të marrë përsipër organizimin e Kongresit dhe zgjedhjeve, më pas negocimin e një zgjidhjeje afatgjatë. Zgjidhja do të ishte shumë më e moralshme”, u shpreh Krasniqi.
Sipas tij, “Partia Demokratike ka hyrë në një rivalitet personal dhe në momentin kur bëhet fjalë për karriera personale, nuk ka lidhje me parimet, me demokracinë, me delegatët, me debatin për integritetin, për platformën e ardhshme… këto janë gjërat për të cilat duhet të japin përgjigje kandidatët. Në kohën që nuk diskutohet për këto tema kryesore, këto kuvende, si të bëhen, si të mos bëhen, nuk e zgjidhin krizën e Partisë Demokratike. Nëse ka individë që janë kundër ndarjes bardhë e zi në PD, ky është momenti që duhet të flasin, që duhet të propozojnë një alternativë parimesh mbi të cilën të organizohet opozita në Shqipëri”.
Krasniqi nënvizoi se kjo çështje nuk do të shkojë në gjykatë.
“Nuk besoj se çështja do të përfundojë në gjykatë dhe nuk besoj se palët kanë interes për të shkuar atje. Nuk është as çështje teknike që të përfundojë në gjykatë, është politike. Në çdo rast, zgjidhja do të jetë politike. Është interesant fakti që të dyja palët i kërkojnë falje elektoratit për gabimin që kanë bërë duke mbështetur njëri-tjetrin. Është interesante edhe që asnjëri prej tyre nuk mban përgjegjësi, pasi nuk është falje për një akt të thjeshtë, por për një vendimmarrje që ka bërë që një parti të qëndrojë për herë të parë për 12 vite në opozitë. Për të krijuar një imazh tjetër, PD-së i nevojiten individë që nuk kanë qenë as ministra, as të përfolur për korrupsion, as pjesë e pjesës negative të PD-së, por me një moralitet publik dhe përgatitje profesionale. Ka të tillë në Kryesi dhe jashtë strukturave të kësaj partie”, u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)