
Prej disa orësh, vijojnë në sallën e kuvendit debatet në lidhje me miratimin e zgjatjes së afateve të organeve të vetingut, të kërkuar edhe nga ndërkombëtarët. Së fundmi, ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka cilësuar këtë një akt të papërgjegjshëm. Ai ka ngritur shqetësimin se nga burgjet dalin vrasës, pasi nuk ka prokurorë për të shqyrtuar dosjet e tyre. Berisha foli me emra konkretë duke akuzuar bashkëshorten e ministrit të Brendshëm, se po shqyrton dosjet e qytetarëve shqiptarë, në një aferë korruptive.
“Qytetarët shqiptarë kanë humbur të drejtën e të pasurit një proces të ndershëm. Asnjë nga ju nuk ka humbur asgjë. Shqipëria u bllokua me integrimin 3 vite, një JO e prerë për shkak të gjykatave. Shqipëria u shndërrua në portin kryesor të trafikut të drogave. Nga burgjet dalin vrasës se s’ka njerëz t’u hapin dosjet. Unë e kam të lehtë të them se ky apo ai deputet ndërhyn për lirimin e tij, por di që prokurorë nuk ka dhe janë mijëra dosje në prokurori që nuk ka kush t’i hapë më. Ju kërkoni këtë anije të mbytur, për të cilën shqiptarët janë shprehur. Vetëm 7% e shqiptarëve që marrin pjesë në votime e quajnë të vlefshme reformën. Vetëm 24% e shqiptarëve flasin. Po rasti i Delina Ficos si qëndron? Delina Fico merr disa miliona euro nga taksapaguesit amerikanë, për të dhënë ndihmesa për dosjet. Është një aferë e madhe korruptive. O demokratë, qytetarë që nuk jeni me socialistët, dosjet tuaja në gjykata i shqyrton ish-gruaja e Edi Rama dhe bashkëjetuesja e ministrit të Brendshëm”.
Sipas Berishës, miratimi i zgjatjes së afateve të vetingut është një akt i turpshëm dhe i papërgjegjshëm.
“Nuk ka akt më të papërgjegjshëm se të votosh sot këtë proces. Antimafia italiane e belge ka zbarkuar në Tiranë. Këtë drejtësi e shkatërruat përfundimisht dhe përsëri sot kërkoni të votojmë për të. Akt i turpshëm”. (A2 Televizion)