
Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat, para se të futej në parlament, u shpreh se KLGJ-ja dhe KLP-ja janë të kapura nga socialistët. Ai u shpreh se të paktën te vetingu ka garanci nga ndërkombëtarët, duke nënkuptuar se do të votojë pro zgjatjes së afateve të vetingut në Kuvend.
“Sot, nuk është drejtësia që duam, por do të ishte më keq nëse një proces i nisur me qëllim që të përfundojë me një drejtësi që ndëshkon politikanët e korruptuar, do të mbetej në mes dhe po kështu do të ndërpritej integrimi i vendit në BE. Prandaj, ne po bëjmë atë që kemi thënë.
Për hir të integrimit, do t’i japim shansin një drejtësie që të korrigjohet dhe t'i hedhur prangat çdo qytetari shqiptar që shkel ligjin, duke e nisur nga më të pushtetshmit. KLGJ-ja dhe KLP-ja janë të kapura nga socialistët, të paktën te vetingu kemi garanci nga ndërkombëtarët”, tha Basha.
Para nisjes së seancës, Basha zhvilloi mbledhje me anëtarët e grupit parlamentar të PD-së. Ai mësohet t'u ketë thënë deputetëve të grupit të vet parlamentar që të mbështesin zgjatjen e afateve të organeve të vetingut. Në një mbledhje, këtë mëngjes, para seancës plenare, nga zyra e shtypit të PD-së mësohet që Basha të ketë thënë: “PD-ja është kontribuuesja më e madhe e procesit të integrimit europian, dhe kurrë nuk do të ndërmarrë ndonjë vendim kundër apo që e dëmton këtë proces”.
“PD-ja ka qenë që prej ditës së parë mbështetëse e reformës në drejtësi. Natyrisht, ndërhyrjet e mazhorancës për ta vënë në shërbim të saj e kanë dëmtuar atë dhe pasojat po i shohim dhe sot”, mësohet të ketë thënë kreu i PD-së.
Nga ana tjetër, disa prej deputetëve të përjashtuar apo të pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së, mbështetës të Sali Berishës, janë shprehur kundër votimit të zgjatjes së afateve, pasi sipas tyre, kjo ndihmon në kapjen e sistemit të drejtësisë nga kryeministri Edi Rama. (A2 Televizion)