
“Tani e kuptojmë pse është e rëndësishme që mos t’i lëmë horrat dhe banditët që i kanë sjellë bedelët e tyre në parlament që të festojnë një ditë kur Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të largohet dhe gjyqtarët e prokurorët jo 50%, 60% siç i emëron sot Ulsiu me Ymerin, t’i emërojnë 100% këta. E kuptojmë edhe ankthin e tyre. Dibra është një krim i pagjykuar”.
Kështu u shpreh Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit, këtë të enjte, aty ku pritet të votohet zgjatja e afateve të organeve të vetingut. Më tej, ai iu drejtua Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, të cilit i kujtoj vendimin me burg të Tahirit.
Ky që i premtonte hajdutit të votës të Dibrës në 2016-n promovimin, është promovuar vetë, është bërë ministër Drejtësie. Ua kam thënë edhe ambasadorëve që e kanë për detyrë të takojnë ministrin e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë edhe kur ajo për momentin është shndërruar për shkak të këtyre surrateve në republikë bananesh që duart po ua japin aleatëve të krimit. Që ai që është sot ministër Drejtësie, në një vend normal minimalisht, duhej të ishte dënuar si pjesëmarrës në atë që e zbardhi BILD dhe e pa e gjithë bota, por nuk e dënoi dot drejtësia shqiptare. Por ka një gjë, drejtësia mund të vonojë dhe sa më shumë vonon aq më shumë dëmton, por nuk mungon. Kujtohu pak për ish-kolegun tënd, ministrin e Brendshëm dhe kapardisjen e tij, majë më majë, rrugë më rrugë, shesh më shesh, madje edhe rrugëve të botës.
Edhe mendohu mirë Ulsi Manja, se për momentin mund të duket vetja i përkëdhelur, i mbrojtur, por harroje ti, dhe këtë po ta them në emër të çdo qytetari të Dibrës, edhe të socialistëve të Dibrës që i keni marrë e trajtoni atje në mënyrën më çnjerëzore se do të vijë dita që do të japësh llogari edhe ti me pjesën tjetër të bandës së strukturuar kriminale të Dosjes 184”, tha Basha. (A2 Televizion)