
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kreun demokrat Lulzim Basha se janë bërë bashkë për të grabitur Portin e Durrësit. Berisha tha ish-hotel Vollga që dikur ishte krenaria e qytetit sot është dëshmi e veprimit të krimit. Por sipas tij kriminelët e vërtetë janë ata me kollare.
“Nga lakmia i janë përveshur Durrësit dhe duan të pasurohen me çdo kusht duke varrosur pasuritë e tij përrallore duke shndërruar plazhet e tij në zona udhëtimi në horror siç do më thoshte një i huaj disa vite me parë për plazhin e Durrësit; tek vija këtu ishte hoteli dikur krenaria e qytetit sot ikonë e veprimit të krimit mbi qytetin. Në 8 vite në Durrës, ka ndodhur vetëm beton, Gjush, Gjush, beton dhe asgjë tjetër. Së fundmi, në një akt të pashembullt në 3 mijë vite, Edi Rama dhe Lulzim Brava i vërsulen Portit të Durrësit. Porti ka qenë burimi i forcës njerëzore të këtij qyteti. Në një farë mënyrë, Porti në të vërtetë ka qenë si të thuash një objekt i shenjtë për këtë qytet dhe vjen një ditë, gjejnë një arab multimiliarder, na thonë se Portin e merr Emaar se do ta bëjë si Dubai. Që të kryesh një veprim të tillë, pa i pyetur qytetarët e Durrësit që e kanë atë simbol të ekzistencës së tyre, krenari të historisë së tyre, asnjë pushtues nuk do ta bënte këtë. Edhe pushtuesi më i egër do të thoshte, nuk jam i përjetshëm dhe këtë të mos e bëj unë. Këtë e bën Edi Rama me Lulzim Bravën sepse duan me çdo kusht të pasurohen”.
Sipas Berishës Rama dhe Basha blenë aksionet e kompanisë arabe, përmes parave të pista të fshehura në shpella offshore. Ai u bëri thirrje qytetarëve durrsakë të mos blejën asnjë metër tokë që sipas tij Rama dhe Basha kanë filluar ta shesin si sipërfaqe ndërtimi.
“Ta supozojmë se qytetarët e Durrësit në një referendum do të shprehen që porti të transferohet në Porto Romano dhe këtu të mbetet Port Jahtesh, ky vendim do të respektohej nga çdo qeveritar. Por me një kusht që 800 e ca mijë m2 që janë aty, aty durrsakët kanë nga eshtrat e qindra brezave të tyre, lumenjtë e djersës të parardhësve dhe të vetë atyre, ato janë pronë e tyre, ato s'mund të jenë kurrë pronë e kompanisë Rama-Basha, por janë pronë e qytetarëve të Durrësit. Çfarë na del tani, që Emaar ishte vetëm kallp, i cili pasi krijoi kompaninë me menaxher atë të kompanisë së Lul Bravës, tani thotë nuk jam më, ia shita thotë kompanisë Rama-Basha. Cila është kjo kompani që i bleu Emaar-it aksionet. Emri i saj është fshehur në shpellat offshore të parave të pista dhe të mafies. Absolutisht është Edi Rama dhe Lulzim Brava. Vendimi për Portin duhet të jetë votim i juaji, duhet ju të votoni për fatin e portit tuaj. Por ju bëj thirrje, mos blini asnjë m2 nga mafia Rama-Basha që kanë filluar të shesin sipërfaqe ndërtimi. Gjithçka do t'i nënshtrohet një procesi transparent përpara jush, përpara shqiptarëve, Porti është i qytetarëve të Durrësit".
Gjatë fjalës së tij në prezantimin e kandidatit për kryebashkiak të qytetit bregdetar, Ardian Muka, Berisha theksoi se në këtë situatë i vetmi shpëtim, është ndryshimi dhe ftoi qytetarët të votojnë kandidatin e Shtëpisë së Lirisë.
“Ndryshimi është jetik për sigurinë tonë sot. Ne shohim Vollgën zgërdallë dëshmi e tmerrshme e pushtimit të saj nga krimi, por nëse nuk ndryshojmë, nesër ne si Vollga do të shohim çdo pronë tjetër që do krimi, sepse krimi ka kapur majat e pushtetit. Më shumë se kushdo jam marrë me emra kriminelësh nuk më pëlqen tua përmend emrat, por kriminelët më të mëdhenj ata me kollare në zyrat e pushtetit. Prandaj përballë Ardi Mukës kandidon dyshja Sako - Hoti. Më lejoni të them haptas se zonja Sako përfaqëson 100% Gjushin, dhe asnjeri tjetër. Identiteti i saj është vetëm Gjushi, Gjushi dhe vetëm Gjushi. A do vazhdohet 20 vite me Gjushin? Kurrë më. Ky Hoti është kopja durrsake e Lul Bravës. U them miqve kosovarë të mos gabojnë se njëherë thotë kosovar, njëherë boshnjak. Ai është kopja e Lul Bravës, se po të mos ishte kopja e tij futej në primare”. (A2 Televizion)