
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka reaguar pas paralajmërimit të kreut demokrat Sali Berisha, se protesta e radhës e opozitës do të zhvillohet në 6 dhjetor, në ditën kur në Shqipëri do të mbahet samiti i liderëve të BE.
Në një postim në rrjetet sociale ai e ka cilësuar këtë një turp që vendi ynë nuk e meriton.
“Një turp që nuk e meriton Shqipëria. Sot, kur Ballkani Perëndimor ka më shumë së kurrë nevojë për mbështetjen e BE dhe SHBA; Sot, kur Shqipëria po spikat si vendi lider në orientimin e rajonit drejt perëndimit, pa dilema gjeopolitike; Sot, kur jemi ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE; Sot, në prag të një ngjarjeje historike të paimagjinueshme për nga forca që i jep rrugëtimit tonë europian - samitit të BE në Tiranë, Sali Berisha thërret protestë kundër BE, në ditën e samitit”.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, të njëjtën gjë do të bënte edhe Putin.
“Asgjë më shumë se sa kaq nuk do të bënte edhe Vladimir Putin nëse do të udhëhiqte opozitën shqiptare. Një dhuratë apo një borxh i vjetër? Sidoqoftë këtë faturë nuk mund ta paguajë Shqipëria. Qëndrimi qytetar ndaj këtij turpi është detyrë e gjithsecilit. Së pari e pjesës së shëndetshme të PD”. (A2 Televizion)