Të ndarë edhe në padi, mandati i Xhaçkës, dy grupimet në PD i drejtohen veçmas kushtetueses

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2022, 12:16 | Politikë
Të ndarë edhe në padi, mandati i Xhaçkës, dy grupimet

Grupimi Berisha dhe ai i Alibeajt kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese dy padi të ndryshme, ndonëse kërkesat janë të njëjta. Deputetët e PD-së kundërshtojnë vendimin e Kuvendit që refuzoi heqjen e mandatit parlamentar të Olta Xhaçkës. Të dyja paditë kërkojnë gjithashtu konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të deputetes socialiste.

“Zonja Xhaçka nuk mund të jetë njëkohësisht edhe ministre e Jashtme, edhe investitore strategjike. Nuk mund të jetë edhe deputete, edhe pronare e plazhit publik. Ky është një akt shumë i rëndë. E megjithatë, jo surprizë për ne. Sepse në këto 10 vjet, kjo mazhorancë dhe kjo qeveri vetëm këtë kanë bërë. Kanë shfrytëzuar pushtetin për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe më pas kanë përdorur kartonët e Parlamentit si mburojë për korrupsionin e tyre”, u shpreh Shehaj.

Nga grupimi Alibeaj padia ishte firmosur nga 14 deputetë të PD-së dhe në emër të tyre foli deputeti Gazment Bardhi.

“Është rasti unik në botë ku ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, deputetja Xhaçka, gëzon njëkohësisht dhe statusin e partnerit strategjik për një investim në Himarë me vlerë 5.5 mln euro. Kjo bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës që i ndalon deputetët që të përfitojnë fonde publike apo të përfitojnë pronë publike”, tha Bardhi.

Mbrëmjen e së enjtes, Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 21 kundër, raportin e mazhorancës socialiste që konstatonte se përfitimet si sipërmarrës të bashkëshortit të ministres së Jashtme, nuk e vendosnin Olta Xhaçkën në kushtet e papajtueshmërisë me mandatin parlamentar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos