
Një mocion me debat për integrimin ishte në krye të rendit të ditës, por minutazhi i rezervuar deputetëve të Sali Berishës, solli reagimin e kryedemokratit. Vendimi i nënkryetares Felaj për të mos i dhënë fjalën, e detyroi Berishën që t’i drejtohej shqiptarëve nëpërmjet Facebook-ut të tij.
“Ky Parlament funksionon si parlamentet moniste, ku opozita nuk mund të dëgjohet”, tha kreu i PD-së.
Vijoi më pas në oborrin e Kuvendit, ku Berisha paralajmëroi protesta ditën kur në Tiranë do të mblidhen liderët e vendeve të BE-së dhe ata të rajonit: “Këtu do të vijë populli opozitar t’u thotë nja dy gjëra këtyre hajdutëve. Protesta nuk është vendosur akoma, do të vendoset brenda dy ditëve. Këtu zbret Europa, Europa duhet të shohë popullin e opozitës”.
Ndërsa Taulant Balla i socialistëve gjeti një shpjegim për protestën e paralajmëruar nga Berisha: “Sali Berisha nuk e do integrimin”.
Me debatin e rikthyer në foltoren e Kuvendit, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku treguan se, përveç integrimit, kishin edhe merakun të replikonin me grupimin tjetër të demokratëve.
“Opozita bëhet e ndjerë, nuk bëhet hipokrite. Nuk është opozitë të vish e të bësh zhurmë dhe jashtë kësaj seance të ndash oligarkë”, tha Alibeaj.
Ndërsa Tabaku u shpreh: “Kolegët deputetë nuk marrin pjesë në mbledhje komisioni. E kam të pamundur të përballem e vetme me mazhorancën. Qeveria shpreh ftohje ndaj procesit të integrimit, nuk flitet më për reforma”.
Krenaria e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, ishte përgjigje ndaj shqetësimeve të opozitës: “Krenare për arritjet e vlerësimet që përmend raporti, por nuk e shoh si një fletë lavdërimi. Rekomandimet e KE po kthehen në një plan pune për qeverinë”.
Pëveç kritikave të opozitës, një paralajmërim se çfarë rrezikon të frenojë integrimin e kishte edhe socialisti Fatmir Xhafaj: “Kuvendi dhe strukturat e tij nuk janë noteri legjislative dhe nuk mund të shërbejnë si vendi ku bëhen qoka politike e buxhetore. Padyshim, përgjegjësia kryesore në rrugëtimin e përballjes me sfidat e integrimit i mbetet institucioneve të reja të drejtësisë”.
Debatit iu bashkua edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule: “Nëse ne arrijmë që me politikat tona të vëmë në diskutimet e tavolinave diplomatike qoftë edhe teorikisht diskutimin e vizave, e kuptoni me sa përgjegjësi duhet të reagojmë në të gjitha drejtimet”.
Por, sipas ministres Xhaçka, nuk ka pasur asnjë iniciativë të tillë për Shqipërinë nga vendet e BE-së. (A2 Televizion)