
Kryetari i Partisë Demokratike denoncoi atë që e konsideron një organizatë kriminale që fshihet pas çështjes së inceneratorëve. Sipas Berishës, në krye të kësaj skeme qëndron Kryeministri Rama, ndaj pagesat për inceneratorët vijojnë, ndonëse ka një hetim që ka çuar disa persona në pranga.
“Si mundet pas të gjithë këtyre akuzave, pas shpalljes në kërkim të pseudopronarëve të kompanive të djegësave, qeveria e Edi Ramës dhe Ministria e Financave, të disbursojë deri sot rreth 100 milionë euro. Të vazhdojë të disbursojë plotësisht të gjithë shumën e parashikuar për djegësin e Fierit, mbi 6 milionë euro. Të gjithë shumën e parashikuar për djegësin e Tiranës. Të ndërtojë, të urdhërojë OSHEE-në të ndërtojë, linjën e tensionit të lartë për djegësin e Tiranës, me një shumë prej 6 milionë eurosh”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
“Si mund të ndodhin këto? Këto ndodhin, kjo aferë kriminale vazhdon jetën e saj, për faktin e vetëm se kjo është aferë e Edi Ramës. Është Edi Rama të dashur qytetarë, që në kundërshtim flagrant, për djegsat e vendit, në kundërshtim me opinionin ligjor zyrtar të Entit Kombëtar të Prokurimeve Publike, i thotë se negociata e mbyllur është e ndaluar të përdoret, s’mund të përdoret. Ka firmosur kontratën me negociata të mbyllura. Është Edi Rama ai që ka pranuar që të gjitha prokurimet për djegsat nga Elbasani, Tiranë, Fier të bëhen vetëm nga një kompani, kompania e tyre. Ndaj edhe nëse deri sot pagesat e prapambetura për kompanitë e tjera shqiptare që kanë bërë punimet dhe nuk kanë marrë shumën që u takon ka kaluar në 120 milion euro për vitin”. (A2 Televizion)