
PD-ja nuk vjen në pushtet përveçse me një votë. Kështu ka deklaruar lideri demokrat, Sali Berisha, në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarët. Duke e cilësuar sistemine sotëm monist, Berisha thekson se do të gjendet mënyrat për mosblerjen e votës dhe shantazhit me vendin e punës.
“Largimi monist. Se tani kemi monizëm të plotë. Faktikisht, ka rënë Kushtetuta. Ky është monizëm i paligjshëm. Nuk ka monizëm të ligjshëm. Do gjenden mënyra që të mos mendojë kush të blejë votën. Do gjenden mënyra që të mos ia përdorë tjetrit vendin e punës. Që të mos i bëjë shantazh. Këto do të marrin fund. Këto janë reale. Këto nuk i kam shpikur. Asnjëherë nuk ka ndodhur kurrë kjo”.
Berisha sqaroi se pse e deklaroi Ramën armik, një ditë më parë në protestë. Sipas tij, kryeministri ktheu monizmin në vend dhe preku votën e lirë.
“Dje kam deklaruar para shqiptarëve dhe botës Edi Ramën armik. Sigurisht mund të ketë pasur dhe të ketë njerëz që mendojnë se kjo ishte e rëndë. Unë e kam deklaruar atë armik me bindjen më të thellë të ndërgjegjes sime. E para, për monizimin që vendos. Monizmin e rrëzuam në vitet ’90, e kishin etërit e Edi Ramës. Monizmin e ktheu Edi Rama 2021-2022. Monizmin Edi Rama e ktheu duke rrëmbyer votën e shqiptarëve. Për mua vota është thelbi i lirisë. Duke marrë votat me patronazhistët, duke i armatosur ata si terroristë të kuq me të dhënat personale të shqiptarëve, rrëmbeu votat me thasë eurosh, me banda, me gjak. Në votat e Taulant Ballës është gjaku i Pjerin Xhuvanit. Pra, Edi Rama vendosi monizmin që e rrëzuam në vitet ’90. Po nëse ka fatkeqësi kombëtare për një vend është monizmi, qoftë ky i bazuar në drogë e krim si ky i sotmi. Dhe ky përbën një kazus të ri. Edi Rama do trajtohet si armik i votës së lirë dhe kurrë nuk do të prekë votën e shqiptarëve. Kjo është e prerë me çdo çmim dhe sakrificë, shqiptarët do të votojnë të lirë.
Edi Rama është sot 25 vjet në pushtet, kurrë nuk i është prekur një votë e vetme. Në vitin 2011, çdo votë është numëruar publikisht. Së dyti, Edi Rama mori pushtetin nga ata që kishin 48 për qind të pushteteve në vend. Ju mund të thoni se sot i ka 100 për qind për faktin se Lulzim Basha bojkotoi zgjedhjet, unë u them ju dhe gjithë shqiptarëve se Edi Rama e deshi këtë, Lulzim Basha bëri gabim të madh. Por të njëjtën rrethanë kemi pasur në vitin 2007. Ai donte të bojkotonte zgjedhjet për certifikatat, që 80 për qind ishin në duart e bashkiakëve socialistë. 5 muaj u shtynë zgjedhjet. Isha i gatshëm t’i shtyja edhe më shumë, vetëm të mos lejoja monizmin. Kurse Rama nxitoi që të fitonte të gjitha pushtetet. Edi Rama është demon i pushtetit. Ai nuk njeh model tjetër përveç etërve të tij. Dhe pushtetin e përdor për vjedhjet e tij të pangopur. Nëse e kam shpallur dje, e kam shpallur për votën. Çfarë bëri para një jave? Hoqi votimin në PS. Ky vendosi modelin që ekzistonte në kohën e Enver Hoxhës”. (A2 Televizion)