
E diela e gjeti Sali Berishën në fushatë elektorale. Qyteti i radhës për të prezantuar kandidatin e opozitës ishte Pogradeci, nga ku vijoi të shpreh me bindje fitoren në 14 maj.
“Asnjë nga kandidatët që unë paraqes nuk janë kandidatë të kryetarit, apo kryesisë së partisë. Janë kandidatë të votës, vullnetit tuaj. Janë kandidatë të lirisë”, tha Berisha.
Kandidatët e Lirisë të Sali Berishës do të dalin nga vula e Partisë së Lirisë, forca politike e cila i ka garantuar futjen në garë. Takimet në terren të ditëve të fundit duket se kanë kristalizuar edhe më shumë marrëveshjen ndërmjet Berishës dhe Metës, njëri kandidatët për kryetar, tjetri ato për këshilla.
“Në asnjë vend të botës së lirë akte të tilla nuk kanë ndodhur. Por ne jemi të sigurt se jo vetëm do marrim pjesë me kandidatët tanë të lirisë, por do fitojmë zgjedhjet dhe do shkojmë drejt përmbysjes përfundimtare të regjimit monist të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Këtë bindje në fitore Berisha duhet ta konfirmojë me vota, ku si mesazh për elektoralin kishte akuzat ndaj Edi Ramës.
“A duhet ne të qëndrojmë duarkryq? A duhet ne ta përcjellim këtë me indiferencë? A duhet ne të shkojmë të udhëtojmë të përgjumur në fatin tonë? A duhet ne t’i nënshtrohemi këtij fati? Kurrën e kurrës!”
Afati për regjistrimin e koalicioneve përfundon në 15 Mars, ku brenda pak ditëve, Berisha dhe Meta duhet të zbardhin modalitetet e garimit. (A2 Televizion)