Berisha prezanton Zini Tollozhinën në Pogradec: Kandidatët tanë të zgjedhur nga populli, ata të partisë tjetër i zgjedhin klanet kriminale

Nga A2 CNN
12 Mars 2023, 11:49 | Politikë
Berisha prezanton Zini Tollozhinën në Pogradec: Kandidatët

Sali Berisha ishte paraditen e kësaj te diele në qytetin e Pogradecit ku ka prezantuar kandidatin për këtë Bashki, në zgjedhjet e 14 majit, Zini Tollozhina. Berisha u shpreh se kandidatët e grupimit të tij janë njerëz të zgjedhur nga populli, ndërsa për kandidatët kundërshtarë u shpreh se zgjidhen nga klanet kriminale.

“Jam sot para jush për të paraqitur si kandidat për qytetar të parë njërin nga demokratët më të përkushtuar, nga njerëzit më punëtorë. Njëri prej bijve të Pogradecit, si kandidat për kryetar bashkie.  Këtu në Pogradec, dje isha në Korçë, dhe kudo që shkoj ndiej një kënaqësi të veçantë, sa asnjë nga kandidatët që unë paraqes nuk janë kandidatë të kryetarit, apo kryesisë së partisë. Janë kandidatë të votës, vullnetit tuaj. Janë kandidatë të lirisë.

Në vjeshtën e vitit 2021 në Pogradec, në Korçë, në mbarë Shqipërinë kishte një kërkesë legjitime: të caktojmë ne vetë kandidatët, dhe kjo ishte një kërkesë e drejtë e cila u mor krejtësisht parasysh. Me votën tuaj dhe të simpatizantëve tanë, sot garojnë në 61 bashki të vendit kandidatët e lirisë karshi kandidatëve të bodrumeve, shpellave dhe dosjeve të fshehta.

Asnjëri nuk ka dëgjuar një fjalë të vetme se çfarë procedure ndjek partia tjetër e krim-ministrit për emërimin e kandidatëve të saj. Ndjek procedurën e gjobave, e nënshtrimit, e propozimit të klaneve kriminale, e valixheve me euro që paguhen për të kandiduar.”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij Berisha.

Berisha vijoi më tej duke shtuar se, grupi i tij do të fitojë zgjedhjet dhe do shkojë drejt përmbysjes përfundimtare të regjimit monist të Edi Ramës.

“Ne vijmë sot në një moment të paprecedentë në 32 vite, sepse si kurrë më parë një përpjekje anti-kushtetuese, anti-demokratike bëhet për të përjashtuar forcën politike kryesore opozitare të vendit nga zgjedhjet. Bëhet për të mbështetur, për të konsoliduar monizmin e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë nga Edi Rama. Në asnjë vend të botës së lirë akte të tilla nuk kanë ndodhur. Por ne jemi të sigurtë se jo vetëm do marrim pjesë me kandidatët tanë të lirisë, por do fitojmë zgjedhjet dhe do shkojmë drejt përmbysjes përfundimtare të regjimit monist të Edi Ramës.

Ne kemi besim se kjo pritje, se ky përkushtim, se ky entuziazëm ka një qëllim kryesor, shpëtimin e shoqërisë shqiptare dhe të Shqipërisë nga ky monizëm i egër që po shfaros kombin. Sot, çdo qytetar, fermer, intelektual që hedh sytë përreth tek fqinjët, vetja, lagjia, blloku, fshati konstaton me dhimbje se 1/3 jonë nuk është në Shqipëri.

Se brenda 8 viteve nga ky vend u larguan në hapësirën e BE 937 mijë shqiptarë, kurse në të gjithë botën bëjnë më shumë se 1 milion. Në 8 vite ne humbëm 1/3 e kombit. E vërteta është, se nga kjo 1/3 rreth 80% janë nën moshën 30 vjeçare. Ne humbëm me shpejtësi dhe po humbasim rininë.”, deklaroi më tej në fjalën e tij Berisha. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/03/12/berisha-edi-rama-nuk-shkel-ne-parlament-sepse-nuk-perballon-dot-opoziten/

A2 CNN Livestream

Latest Videos