
Sot në kryeministri kreu i qeverisë Edi Rama ka prezantuar drejtuesen e re të Kadastrës Dallëndyshe Bici. I pranishëm në prezantim ishte edhe paraardhësi i saj, Artan Lame dhe drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj.
Në fjalën e tij, Artan Lame ndërsa tregoi se të dielën ka ditëlindjen, shtoi se largimin nga kreu i Kadastrës po e konsideron si një dhuratë për këtë rast.
“Nesër kam ditëlindjen, kam edhe përvjetorin e asaj ngjarjes me shëndetin që kam pasur disa vitesh, këtë tërheqje e konsideroj si dhuratë për ditëlindje pasi kam nevojë të fokusohem te shëndeti dhe te vetja për pak kohë,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë tha se sot është koha për një frymë të re, ndërsa paralajmëroi se do të ngrihet në Task-Forcë brenda Kadastrës për të gjithë punonjësit që abuzojnë me pozicionin e tyre.
Siç u shpreh Rama, për të, synim është që të “mbyllen të gjitha rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe Kadastrës.” (A2 Televizion)