
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Vladimir Putin si diktator, duke komentuar pushtimin rus të Ukrainës.
“Për të përmbushur ambiciet imperialiste të carit të saj, Rusia sulmon një vend të pavarur dhe sovran. Sot Shqipëria është vend anëtar në NATO. Në Luftën I Botërore ishte vendi i parë që u pushtua dhe pushtimi kaloi pa u regjistruar në analet e kancelarive të mëdha të kohës. Rusia do ta humbasë këtë luftë dhe fundi i saj do të jetë më tragjiku që ka pasur ndonjëherë”, tha Berisha.
“Shqipëria sot është anëtare e NATO-s, do të përmbushë çdo detyrim që rrjedh nga kjo aleancë. Shprehim solidaritetin tonë më të madh me kombin ukrainas dhe të dënojmë me forcën më të madhe agresionin barbar rus, ndaj këtij kombi, të urdhëruar nga diktatori gjakësor Vladimir Putin”, shtoi ai.
Berisha akuzoi socialistët në Parlament se po mbajnë një qëndrim pro Rusisë, duke mos miratuar një rezolutë për Ukrainën. “Qëndrimi i këtij Parlamenti, si qëndrimi i Rusisë së vogël. Jeni vasal të Vuçiç. Atje po hidhen bomba mbi qytetarë të lirë, ne s’kemi miratuar një rezolutë. Kjo është përgjegjësi e Edi Ramës, vasal i Vuçiç. Vdekje pushtuesve rus!”, tha ai. (A2 Televizion)