
Avokati Plarent Ndreca, i ftuar në emisionin Debat, bëri një vlerësim të qasjes së Komisionit Hetimor për Inceneratorët, por e cilësoi si jo profesional drejtimin e Jorida Tabakut.
"Një nga gjerat pozitive të këtij Komisioni është fakti që janë marrë si dëshmitarë të gjithë autoritetet që komisioni ka vlerësuar si të rëndësishëm, por opozita nuk e ka nivelin e profesionalizmit që kërkon ky proces, por që kërkon edhe publiku, veçanërisht për drejtimin e zonjës Tabaku", deklaroi ai.
Pra e ndihmon SPAK ky hetim? “Këtë nuk di ta them me siguri, por di të them që Komisioni Hetimor ka përbërje politike, por asnjë institucion i shtetit shqiptar nuk mund të shkojë jashtë procesit të rregullt ligjor, dhe nuk mund të dalin në përfundime pa këtë proces. Intimidimi i dëshmitarëve, epitetet fyese, është prishje e hetimit parlamentar dhe ndoshta edhe të atij penal”, tha Ndreca.
Për sa i përket çështjes konkrete të impianteve, Ndreca deklaroi se “Elbasani ka përfunduar brenda afateve, i bërë me paratë e privatit të financuar sigurisht nga shteti, është në punë dhe funksionon, ai i Fierit është ndërtuar por nuk është kolauduar, është si të themi që një pallat është përfunduar, ka marrë çelësin dhe jeton, por nuk kë marrë certifikatën e pronësisë. Në këtë procedurë Komisioni ka nxjerrë problematika, në nivel të administratës, pra procedura ka patur probleme si në çdo procedurë ku punojnë njerëz”. (A2 Televizion)