
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do të largohet nga posti pas fjalimit të fundvitit të presidentit, Stevo Pendarovski.
Raportimi vjen nga DW, që citon burime nga koalicioni qeveritar. Synimi i Zaev është që kjo të ndodhë brenda këtij viti, në mënyrë që ekzekutivi i ri të nisë punën deri në mesin e janarit.
Pasardhës i tij pritet të jetë, Dimitar Kovaçevski, i cili mori së fundmi dhe drejtimin e partisë LSDM. Ky i fundit, bashkë me Zaev, u takua me përfaqësues të partive të koalicionit qeverisës për të negociuar për programin dhe postet ministrore në ekzekutivin e ri.
Ndërkohë, opozita vijon të kërkojë zgjedhje të parakohshme, pavarësisht se tashmë ekziston një mazhorancë e qëndrueshme parlamentare. Partia shqiptare, Lëvizja BESA, thotë se dështimi në hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në tregon paaftësinë e qeverisë dhe ndaj zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme. (A2 Televizion)