Sali Berisha u bë personi i katër nga ish zyrtarët e lartë shqiptar që u fut në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por më i rëndësishmi për nga pesha e posteve që ka mbajtur si ish-president dhe ish-kryeministër.
Ndryshe nga tre të tjerët Berisha u bë i pari që u kundërpërgjigj ndaj sekretarit amerikan të shtetit, duke ngritur padi për shpifje ndaj akuzave për korrupsion që i erdhën nga Uashingtoni. Antony Blinken, në mesazhin e tij në Twitter, ngriti edhe më shumë stekën, duke fajësuar për minim të demokracisë, njeriun që më shumë nga të gjithë ka të lidhur emrin e tij me demokracinë shqiptare.
“Aktet korruptive të ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha kanë minuar demokracinë në Shqipëri. Po e shpall Berishën dhe anëtarët e afërt të familjes së tij si të papranueshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”, shkruhej në deklaratën e Blinken.
Në arsyetimin e Departamentit Amerikan të shtetit, ish kryetari i Partisë Demokratike ndër të tjera akuzohet për përfitime në kurriz të qytetarëve shqiptarë përgjatë drejtimit shumëvjeçar të vendit, që kanë pasuruar atë vetë, familjarët dhe aleatët e Berishës.
“Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.

Njësoj si në precedentët e tjerë, bashkë me Sali Berishën, e drejta për të hyrë në Shtetet e Bashkuara iu hoq edhe familjarëve të tij të ngushtë.
“Përveç Berishës, unë po përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, të birin, Shkëlzen Berisha dhe të bijën, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. Përveç korrupsionit të pretenduar, Departamenti i Shtetit shton edhe një motivacion të dytë në kurriz të ish-kryeministrit, që nuk ishte vënë re në rastin e Vangjush Dakos, Adriatik Llallës dhe Tom Doshit”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Uashingtoni nënvizon përpjekjet aktive të Berishës për të penguar drejtësinë. “Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë”.
Mbrojtja më e mirë është sulmi dhe një strategji të tillë vendosi të ndjekë Sali Berisha i cili zjarrit amerikan që e shpalli “Non Grata” nën akuzën e korrupsionit dhe pengimit të drejtësisë iu përgjigj po me zjarr.
“Meqë nuk paraqiti asnjë provë, kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral në Francë që të ngrejë ndaj zoti Blinken padi për shpifje publike. Blinken mund të pretendojë ndoshta se sipas rregullave si Sekretar Shteti, ai ka imunitet. Kjo është gënjeshtër. Imuniteti fitohet nga gjykatat, në mënyrë relative, që do të thotë se Blinken ka imunitet kur kryen akte normale si përfaqësues i qeverisë së vendit të tij. Asnjë qeveri, cilado qoftë ajo, nuk mund të ketë funksion shpifjen dhe përbaltjen. Pra, sipas avokatit tim, zoti Blinken nuk është i mbrojtur nga asnjë imunitet. Ndaj, do të paditet dhe dënohet nga Gjykata e Parisit, në të cilën është ngritur padia nga avokati im”, ishin fjalët e Berishës në konferencën për shtyp.
Për mbrojtjen ligjore, Berisha ka zgjedhur një nga avokatët më të njohur në Francë, për të cilin u shmang disa herë të tregonte sa i kushton e me paratë e kujt do ta paguajë. Ndërsa politikisht e mori në mbrojtje Lulzim Basha që, ende pa u bërë publik lajmi i padisë, shprehu keqardhje dhe duke cituar fjalët e atit politik, kërkoi prova nga SHBA.

“U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha. Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”, deklaroi kreu i PD-së.
Basha u kujdes të nënvizojë se ngjarja nuk cenon marrëdhëniet e PD-së me Shtetet e Bashkuara, njësoj si Sali Berisha e quan aksionin e tij ligjor një mbrojtje të dinjitetit personal.
“Çështja e dinjitetit është çështja më thelbësore e njeriut. Nëse i prek dinjitetin njeriut, e zhvlerëson atë para familjes, miqve dhe komunitetit ku jeton. Unë kam qenë President dhe kryeministër. Pra, kam qenë përgjegjës për dinjitetin e këtij populli”, tha Berisha në konferencë.
Betejën që Berisha deklaroi se e ka personalisht me Antony Blinken, gazetari Mentor Kikia e sheh si një padi ndaj diplomacisë amerikane. “Është një betejë ligjore jo thjesht me një zyrtar amerikan por me një institucion të Shteteve të Bashkuara siç është departamenti i shtetit. Nuk e di nëse në vendimmarrjen finale mund të influencojë fakti që në mes është Departamenti i Shtetit por tashmë është një çështje e Sali Berishës”, mendon analisti.
Në mungesë të provave kundër tij, Sali Berisha nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mandati i deputetit Qasje kjo që ishte paralajmëruar në studion e A2CNN nga Afrim Krasniqi dhe Lutfi Dervishi.
Por sa rrezikon që padia e liderit historik të demokratëve ndaj kreut të Departamentit Amerikan të Shtetit të dëmtojë partinë? “Gjëja e mirë që ka bërë është të mos tërheqë në këtë betejë partinë Demokratike. Që të mos jetë një beteje ligjore mes Partisë Demokratike dhe DASH për të mbrojtur Sali Berishën por një beteje e një qytetari shqiptar”, thotë Kikia.
Kundërsulmi i Berishës erdhi në të njëjtën ditë kur Adriatik Llalla, me të cilin bashkë ndan listën e zezë amerikane, u dënua me dy vjet burg dhe konfiskim të pasurisë. Përfaqësuesja e SHBA-së, Yuri Kim, shfrytëzoi rastin për një leksion dinjiteti, fjala kyçe që kërkonte Sali Berisha.

“Lajm i mirë që SPAK po jep rezultate. Kjo çështje, e cila përfshin një ish-zyrtar të lartë të ndaluar nga SHBA për korrupsion të rëndësishëm, tregon se askush – pavarësisht sa i fuqishëm - nuk është mbi ligjin. Kur të gjithë janë të barabartë para ligjit, të gjithë kanë dinjitet. Ky është dinjiteti i vërtetë”, deklaroi ambasadorja.
Sali Berisha sapo ka nisur ndoshta betejën e tij të fundit në jetën publike, por e sigurt është se ai nuk do të jetë i fundit që do të ketë probleme me amerikanët, por zyrtarët e Departamentit të Shtetit e vendosin ndryshe theksin. Për kë është ende i paqartë, Yuri Kim shpjegoi nga Vlora si duhet lexuar mesazhi që vjen nga Amerika. “ Shqipëria po ndryshon...”, deklaroi ambasadorja. (A2 Televizion)