Elezi: Nëse Sali Berisha largohet nga PD-ja, patjetër largohet edhe Basha

Nga A2 CNN
21 Maj 2021, 20:47 | Politikë
Elezi: Nëse Sali Berisha largohet nga PD-ja, patjetër largohet edhe

Ish-kreu i Partisë Demokratike në Kukës, Ibsen Elezi, i ftuar në studion e “Ditari” në A2, u shpreh se “nëse Sali Berisha largohet nga PD-ja, patjetër largohet edhe Basha”.

Sipas tij, ish-kryeministri, i cili u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit duhet të distancohet nga partia dhe të kthehet nëse e fiton betejën e tij.

“Individët janë për të dhënë kontributin e tyre në parti dhe në shoqëri. Sali Berisha ndodhet përballë një situate të rëndë, pasi akuzohet nga Departamenti i Shtetit. Ka të drejtën e mbrojtjes si kushdo. Por, në të njëjtën kohë patjetër duhet të distancohet nga partia dhe të kthehet me dinjitet pas fitores së kësaj beteje. Marrëdhënia e ndërtuar në PD është e tillë: Sali Berisha i ka ndërtuar karrierën Lulzim Bashës dhe ndikoi që ai të bëhet pasuesi i tij në parti. Në momentin që Berisha ndodhet para vështirësisë, lidhja do të vazhdojë. Nëse Berisha largohet nga PD, patjetër largohet edhe Basha. Ose largohen të dy, ose asnjëri. Nuk funksionojnë dot pa njëri-tjetrin, pasi ashtu e kanë ndërtuar marrëdhënien”, deklaroi Elezi.

Në lidhje me zgjedhjet brenda PD-së, Elezi theksoi se kushtet fillestare të garës nuk janë shumë korrekte.

“Kemi marrë vendimin që do të jemi pjesëmarrës në garën e brendshme në PD, pavarësisht se kushtet fillestare të garës nuk janë shumë korrekte. Komisioni është i njëanshëm, pasi nuk është i balancuar, siç ndodh në zgjedhjet qendrore; nuk kishim edhe kohë të mjaftueshme për fushatën. 17 ditë janë shumë pak për të mbuluar 75 degë. Ka edhe probleme me listat dhe organizimin e fushatës, pasi ne si kandidatë nuk kemi akses në komunikimin me strukturën, siç e ka kryetari aktual. Kjo bën që të mos jetë një garë korrekte në aspektin teknik”, u shpreh Elezi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos