Në një kohë kur teknologjia dhe tregjet po ndryshojnë me ritme të shpejta, ne besojmë se kultura dhe inovacioni nuk janë të kundërta, por aleatë. Kemi një mundësi të artë për të ndërthurur mjeshtërinë tradicionale me dizajnin bashkëkohor, për të fuqizuar ekonominë përmes kulturës, për t’i kthyer të rinjtë drejt zanateve si rrugë për vetëpunësim dhe identitet.
Me këtë mesazh ka mbërritur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në Zan’Art, një nga panairët e ndoshta festivalet më me shumë ngjyra në vend, shkruan A2. Është edicioni i parë, takimi i parë, përbashkimi i 35 artizanëve më në zë në vend, për të ekspozuar punët e tyre. Nga qeleshja që e gjejmë në ndeshjet e Kombëtares shqiptare e deri tek xhubleta që tani renditet mes pasurive të botës, në UNESCO, 35 ekspozitorë, por bashkë me ta edhe interpret me çifteli, lahuta a violin, me modele të veshura me ngjyrat e trashëguara brez pas brezi, po aq edhe me misterin e maskave veneciane që tanimë janë bërë art i zanë edhe nga shqiptarët, kështu ka mbërritur festa në kryeqytet.
E megjithëkëtë, Zan’Art nuk do të jetë vetëm një panair, por edhe një mundësi e mirë për të eksploruar në botën fantastike të historisë, sepse aty gjejmë edhe studiuesit që çdo fije peri e lidhin me elementët e kulturës që na është trashëguar ndër breza.
Për të nxitur kreativitetin dhe vlerësimin e artizanatit do të rriten edhe fondet po aq sa edhe promovimi në arenat ndërkombëtare, premtoi ministri Gonxhja, që në portofolin e vet artistik i shtoi javëve të kulturës ndërkombëtare dhe mundësinë e një serie eventesh që do ta çojnë artin dhe kulturën shqiptare edhe në botë.
Po ashtu, Zan’Art është një mundësi e mirë për ata që duan të bëhen pjesë e kësaj bote të bukur e plot ngjyra, sepse Zan’Art në këtë edicion të parë do të shënojë 11 workshope që do të zhvillohen nga mjeshtrat e artizanatit, të cilët do të prezantojnë teknikat tradicionale të punimeve artizanale. (A2 Televizion)