Lobimi 6 milionë dollarë në SHBA, Berisha: Nuk ka të bëjë me zgjedhjet, PD nuk ka dhënë asnjë qindarkë

Nga A2 CNN
1 Maj 2025, 19:10 | Politikë

Lobimi 6 milionë dollarë në SHBA, Berisha: Nuk ka të

Kontrata prej 6 milionë dollarësh për lobimin e PD-së në SHBA e nënshkruar mes fondacionit “Make Albania Great Again” dhe kompanisë amerikane “Continental Consulting” nuk ka lidhje me fushatën zgjedhore, por synon përfaqësimin e kauzave të opozitës pranë administratës amerikane dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Kështu u shpreh Sali Berisha në një konferencë me gazetarët ku theksoi se kontrata është plotësisht ligjore, e publikuar në regjistrin amerikan FARA dhe nuk përfshin asnjë aspekt zgjedhor.

“Nuk ka të bëjë me zgjedhjet, fare! Ka një nen, neni 21 i ligjit të partive politike. Nen që autorizon partitë politike të marrin ndihma, mbështetje financiare nga forca të tjera politike, organizata ndërkombëtare partiake politike dhe fondacione. Pra, kontrata është 100 përqind e bazuar në ligj. Lidhur me milionat që numëroni, mos harroni, kontrata ka një nen, sipas të cilit, palët në çdo rrethanë që do ta konsiderojnë të dobishme për veten e tyre, ndërpresin kontratën. Prandaj nuk mund të flasësh për 6 milionë, nuk mund të flasësh as për 100 mijë apo 200 mijë. Kontrata është në varësi sipas kërkesave të palëve, dakordësisë së palëve, objektivave të palëve. Por një gjë është e sigurt, populli opozitar nuk ka më një kauzë jetime. Në atë vend të madh, ajo kauzë ka një avokat të madh. kjo kontratë me avokatin numër 1, ka synim mbrojtjen e kauzave të popullit opozitar nga një narkodiktator”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se Partia Demokratike nuk është palë kontraktuese, por ka pranuar shërbimin si mbështetje nga fondacioni i formuar nga “patriotë antikomunistë” që sipas tij shohin tek Edi Rama një rrezik për demokracinë dhe pluralizmin në vend. Sipas Berishës, kontrata nuk është e krahasueshme me rastin “McGonigal” apo me lobimet e mëparshme të kryeministrit, për të cilat ai akuzon se janë kryer në mënyrë të fshehtë dhe korruptive.

“Nuk ishte PD, ishte fondacioni. Zoti Noka ka firmosur që pranon shërbimin. Po jo palë kontraktuese. Në rast se në rastin me zotin Chris LaCivita ne jemi palë kontraktuese si PD, në rastin tjetër, palë kontraktuese është fondacioni i patriotëve dhe demokratëve shqiptarë. Ne nuk mund t’i zëvendësojmë ata. Kjo është shumë e thjeshtë. Ne nuk mohojmë qe ne kemi pranuar dhe kemi firmosur të pranojmë shërbimin, por nuk jemi ne palë kontraktuese. Besoj se është e qartë. PD nuk ka dhënë asnjë qindarkë, është një fondacion që jep paratë. Por një gjë, edhe sikur PD t’i ketë dhënë nga arka e vet, për kauzën ia vlen çdo qindarkë. Sepse marrim këtë. Edi Rama zhduk djegësin e Tiranës, vjedh 130 milionë euro dhe vazhdon njëlloj të thuhet se është udhëheqës i shquar. Kë dënoi me vjedhjen 130 milionë euro? Mos dënoi pasanikët? Asnjërin prej tyre. Të varfrit i dënoi. 130 milionë euro janë 812 mijë pensione. Prandaj thashë ato mund t’i paguante qindarkë për qindarkë PD për të mbrojtur pikërisht çdo shqiptar, sepse janë bërë... ky është një narkodiktator. Ky me ato që i ka bërë shqiptarëve, ka përzënë 1 milion shqiptarë. Unë ta them që çdo lloj shpenzimi për të bërë transparencën, për të bërë anatominë e një narkodiktatori, është e vlefshme për çdo qytetar shqiptar. Kjo është e vërteta”.

Berisha tha se kjo marrëveshje synon të denoncojë përpara institucioneve amerikane atë që ai e cilësoi si “narkodiktaturë” të Edi Ramës, duke përmendur raste si aferat me inceneratorët dhe dosjet e pazbardhura të krimit elektoral.  Sipas tij kontrata mes avokatit të famshëm dhe fondacionit “Make Albania Great Again”, është transparente.

“PD dhe ASHM kanë të njëjtat kauza. Kjo është e tëra. Dmth ky koalicion është dakord se Shqipëria është një narkoshtet, se Edi Rama është një narkodiktator. Se Edi Rama ka vënë në kontroll të plotë drejtësinë. E pe ti si reaguan ata apo jo. E pe. Sigurisht do të ketë transparencë. Çfarë thotë PPE? Thotë për pandëshkueshmërinë sepse dosjet 184, 339, janë tabelë turpi në qafën e tyre që i mbajnë, shkruhet turp për ata që i mbajnë. Çdo njeri që njeh ligjin amerikan dhe e di që kontrata publikohet në FARA, atë e  merr çdo njeri, nuk ka gjë për të fshehur këtu fare. Por kontrata është mes avokatit të famshëm dhe fondacionit ‘Make Albania Great Again’”.

Ai shtoi se çdo përpjekje për transparencë dhe mbrojtje të opozitës është në të mirë të çdo qytetari shqiptar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos