
Ekonomia përkufizohet si një fushë sociale që thekson praktikat, ligjërimet dhe shprehjet materiale që lidhen me prodhimin, përdorimin dhe administrimin e burimeve. Ekonomia, duket të jetë hallka e parë e një zinxhiri të gjatë rregullator e shtetformues, që sistemon ose çrregullon edhe rendet sociale. Por, si rezultojmë ne në këtë raport?
Për të folur për situatën aktuale ekonomike në vend, foli në A2 Florion Mima, anëtar i kryesisë në PD, ekspert ekonomie.
Mima u shpreh se realiteti është i dhimbshëm dhe lëvizjet e fundit ekonomike të qeverisë janë të dëshpëruara dhe kaotike.
“PS bindi PS për sukseset e saj në këto 8 vite qeverisje. Realiteti është i dhimbshëm, totalisht i ndryshëm nga ato që pretendojnë demagogët. Lëvizjet e fundit tregojnë se PS, fatkeqësisht, është në dëshpërim të thellë dhe prognoza ekonomike vazhdon të jetë edhe më e zymtë pas publikimit të planeve të Ramës për zerimin e taksave për biznesin e vogël për ngritjen e kufirit të TVSH-së apo edhe të lancimit të paketave anti-Covid dje nga ai. Këto janë lëvizje të dëshpëruara, kaotike, në vazhdën e rrëmujës totale që e karakterizon këtë qeveri, pa një fill arsyeje, pa një zë ekspertize, e cila nuk i mungon PS-së dhe që tregojnë çoroditjen totale ku është përfshirë kjo forcë politike.
Kur ne themi se do të rrisim kufirin e regjistrimit në TVSH, nga 2 në 10 milionë lekë, a i tregon dikush Ramës se gjëja më normale që duhet të bëjë një qeveri serioze është që të bëjë një vlerësim të masës paraprake. Kur kufiri u ul nga 5 në 2 milionë, çfarë rezultatesh solli? Sa biznese hynë në TVSH? Si ndikoi TVSH në jetën e këtyre bizneseve? Asnjë analizë”.
Më tej, Mima thekson se Rama vazhdon t’i marrë vendimet pa dëgjuar ekspertizën. “Po të dëgjonte ekspertizën nuk do të kishte mundësi që të tatonte një tatim zero për biznesin e vogël, ndërkohë që fasha është rritur aq shumë. 14 milionë janë afërsisht 140 mijë dollarë dhe rreth 90% e biznese”.
Por pse bëhen publike në këto moment strategji të tilla nga qeveria? “Kjo thikë është me dy tehe. I pari është tehu elektoral. Rama pretendon të blejë me para publike sa më shumë vota nga të lëkundurit. E dyta, unë gjykoj se kjo bëhet për të fshehur katastrofën e madhe që po i përgatitet vendit me fiskalizimit, sidomos të biznesit të vogël. E gjithë lëvizja e Ramës për të ulur taksat e biznesit të vogël synon blerjen e votave dhe shmangien e fokusit nga kjo katastrofë që po vjen”.
Por sa janë realizuar premtimet e vitit 2013 nga kjo qeveri, sipas Mimës? “Tatimin mbi të ardhurat personale e ka çuar në shkallën marxhinale në 23%, në një kohë që ishte 10%. Tatimin mbi fitimin në 15%, në një kohë që ishte 10%. Ka prezantuar taksën e qarkullimit, brenda çmimit të çdo litri karburant, duke e kthyer Shqipërinë në vendin me karburantin më të shtrenjtë në botë. Me taksat e ulura, PD ka mbledhur sot me taksat e rritura PS. Shifrat janë aty dhe nuk ka nevojë për komente”. (A2 Televizion)