
Zerimi i tatimfitimit dhe TVSH-së për biznesin e vogël dhe të mesëm shihet si një nismë me rrezik të lartë në ekonominë e vendit. Eksperti kontabël, Sotiraq Dhamo, parashikon hapat e parë të pronarëve të biznesit për të ruajtur tavanin e xhirove mujore duke mos rritur aktivitetin e tyre.
Dhamo thotë se nga zerimi i taksave mund të joshet edhe biznesi i madh: “Biznesi i madh do të ndahet në dysh. Askush nuk do të dojë të rrisë aktivitetin, do të mbeten të vegjël”.
Nisma e qeverisë për nxitjen e biznesit shihet si e gabuar nga eksperti për shkak se stimulon evazionin fiskal: “Biznesi i vogël do të blejë nga i madhi pa faturë”.
Pronarët e biznesit të vogël ankohen se në dyqanet e tyre nuk ka fuqi blerëse. Pavarësisht zerimit të taksave nga qeveria ata kërkojnë fillimisht fuqizimin e ekonomisë vendase.
Kryetari i Shoqatës së Biznesit, Albert Nasto, thotë se zerimi i taksave është pjesë e fushatës elektorale të qeverisë.Vendimi vjen në fund të mandatit të dytë qeverisës, por kryeministri Edi Rama mohon të jetë joshje elektorale.
Partitë politike kanë kërkuar vazhdimisht të joshin biznesin me uljen e taksave, por pa shpjeguar se si do të kompensohet kjo mungesë e të ardhurave në buxhetin e shtetit. (A2 Televizion)