
"Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë devijimin e fluturimit Ryanair në Bjellorusi për të mundësuar arrestimin e gazetarit Roman Protasevich". Kështu u shpreh presidenti i SHBA-së Joe Biden, i cili mirëpret kërkesën e Bashkimit Europian për sanksione ekonomike.
"Unë i kërkova ekipit tim të studionte opsionet e përshtatshme për ata që ishin përgjegjës", shtoi Biden, duke bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar mbi incidentin.
Ndërkohë, Bashkimi Europian ka vendosur të ndalojë linjat ajrore bjelloruse nga qielli evropian, pasi fluturimi u devijua për në Minsk të dielën dhe u arrestua një gazetar disident.
Në një takim në Bruksel, udhëheqësit e 27 vendeve anëtare u thanë linjave ajrore të BE-së të mos fluturonin mbi Bjellorusinë dhe premtuan sanksione të mëtejshme ekonomike.
"Ne nuk mund të tolerojmë që ruleta ruse të luajë me jetën e civilëve", tha presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, duke paraqitur sanksionet kundër Bjellorusisë për "ngjarjen skandaloze që ndodhi". Përgjigjja e BE-së do të varet nga rëndësia e ngjarjes”, shtoi ai.
"BE dënon aktivitetet e paligjshme, provokuese dhe destabilizuese të Rusisë kundër BE-së dhe shteteve të saj anëtare", dhe i kërkon përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme të paraqesë në samitin e qershorit një relacion mbi marrëdhëniet BE-Rusi.
Kjo është ajo që lexojmë në konkluzionet e samitit të BE-së të publikuara pas debatit mbi marrëdhëniet me Moskën. (A2 Televizion)