Biden në Asamblenë e OKB: Hapet një epokë e re diplomacie dhe paqeje

Nga A2 CNN
21 Shtator 2021, 17:07 | Bota
Biden në Asamblenë e OKB: Hapet një epokë e re diplomacie

"Le të punojmë së bashku për të luftuar pandeminë, ndryshimin e klimës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut". Me këtë apel presidenti amerikan Joe Biden iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në fjalimin e tij të parë në këtë Asamble, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se pas luftës në Afganistan do të hapet një epokë e re diplomacisë dhe paqes.

"Administrata ime dëshiron të hapë një epokë të re të diplomacisë, pas përfundimit të luftës në Afganistan dhe do të udhëheqë botën drejt një të ardhmeje më paqësore. Një e ardhme, e cila në çdo rast varet nga aftësia për të vepruar së bashku”, theksoi Biden.

Duke iu referuar Kinës, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB -së, Joe Biden tha se SHBA nuk po kërkon një luftë të re të ftohtë, por është e gatshme të punojë me çdo komb që ndjek vendime paqësore.

"Ne do të vazhdojmë të mbrohemi nga terrorizmi dhe të përdorim forcën nëse është e nevojshme, por si mjetin e fundit, dhe ne duhet ta bëjmë këtë me pëlqimin e amerikanëve dhe në konsultim me aleatët tanë dhe partnerët tanë. SHBA nuk po kërkon një luftë të re të ftohtë dhe është e gatshme të punojë me çdo komb që ndjek vendime paqësore”, u shpreh presidenti amerikan.

Joe Biden njoftoi një angazhim prej 10 miliardë dollarësh kundër urisë botërore dhe për të investuar në sistemin ushqimor në SHBA dhe jashtë saj.

Duke folur për Lindjen e Mesme, Biden përsëriti mbështetjen solide të SHBA -së për Izraelin, por tha se vazhdon të besojë në zgjidhjen e dy shteteve, që sipas tij është mënyra më e mirë për të zgjidhur konfliktin Izrael -Palestinë.

Sa i takon Iranit, Biden deklaroi Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të kthehen në marrëveshjen bërthamore të Iranit nëse Irani bën të njëjtën gjë. Ai përsëriti se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për të parandaluar Teheranin që të ketë një armë bërthamore.

Asambleja e 76-të e Përgjithshme në New York City zhvillohet në sfondin e një krize klimatike dhe një pandemie një, të cilat kanë mprehur ndarjet globale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos