
Presidenti amerikan Joe Biden mbërrin në Europë, me shpresën se bisedimet ballë për ballë me udhëheqësit e NATO-s, ata evropianë dhe të G7-ës, do të arrijnë atë që diplomacia virtuale nuk ka mundur ta bëjë deri më tani: t'i japë fund sulmit rus të Ukrainës.
Shtëpia e Bardhë e pranon se ky udhëtim i shpejtë, synon të arrijë shumë, në pak kohë. Ofensiva diplomatike nis të enjten me një takim të NATO-s. Në agjendë është vendosja e sanksioneve të reja kundër Rusisë dhe bindja e aleatëve për të reduktuar varësinë nga gazi rus.
“Ai do të marrë pjesë në një samit të jashtëzakonshëm të NATO-s, bashkë me liderët e shteteve të tjera anëtare. Do t’i bashkohet liderëve të G7-tës dhe do flasë për 27 krerët e Bashkimit Europian në një seancë në Këshillin Europian. Do t’i bashkohet partnerëve në vendosjen e sanksioneve të tjera për Rusinë, dhe do të punojë me aleatët për të fuqizuar mbrojtjen në krahun lindor. Do të njoftojë një aksion të përbashkët për reduktimin e varësisë nga gazi rus”, tha Jake Sullivan, këshilltari i tij për sigurinë.
Nga Brukseli, presidenti Biden do të shkojë të premten në Varshavë, 1 mijë km larg Ukrainës së zhytur në luftë. Polonia po mban barrën më të mardhe të refugjatëve që vërshojnë çdo ditë nga Ukraina. Sipas këshilltarit për sigurinë ndalesa në Poloni është një mundësi e rëndësishme për t’u takuar me një aleat të brishtë pranë frontit të luftës. (A2 Televizion)