
Presidenti amerikan Joe Biden e ka bërë të qartë se Lindja e Mesme nuk është prioritet i administratës së tij; Ukraina, Kina dhe zgjedhjet e mesit të mandatit janë çështje më prioritare. E megjithatë me uljen e Air Force One në Tel Aviv, në vizitën e tij të parë në rajon që prej zgjedhjes president, Biden do të përballet me një pjesë të botës që po ndryshon shpejt, por që prap është e paqëndrueshme.
Qëllimi kryesor i Biden është të bindë Arabinë Saudite mbi nevojën e rritjes së furnizimeve globale me naftë, për të lehtësuar krizën energjetike të nxitur nga pushtimi rus në Ukrainë, por Irani do të jetë gjithashtu në krye të agjendës. Gjatë ndalesës 3-ditore në Izrael, ai do të fokusohet te negociatat e fuqive perëndimore me Iranin për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të takohet gjithashtu me presidentin palestinez, Mahmud Abbas, në Bregun e pushtuar Perëndimor, para se t’i drejtohet Arabisë Saudite, ku do të kërkojë normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Izraelit dhe sauditëve – armiq historikë, por që po i afron qëllimi për të frenuar ndikimin e Iranit në rajon.
Udhëtimi i Biden u parapri nga lajmi për thellimin e bashkëpunimit mes Izraelit dhe fqinjëve të tij për të luftuar kërcënimin që buron nga fuqizim ushtarak i Iranit dhe aleatëve në rajon. Zyrtarë të lartë izraelitë theksuan një ditë para mbërritjes së Biden se liderishipi amerikan ka lehtësuar ndërveprimet mes Tel Avivit dhe partnerëve rajonalë gjatë muajve të fundit. (A2 Televizion)