
Ndërsa në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës pësoi dje një rënie të fortë me rreth 13%, në tregun tonë të karburanteve vetëm një pjesë e pikave me pakicë kanë regjistruar një rënie të lehtë me 6 lekë. Në pjesën dërrmuese të distributorëve, nafta dhe benzina vazhdojnë të ruajnë nivelet rekord të 260 lekëve, të shënuara po mbrëmjen e djeshme.
Gjatë javës së fundit, çmimi i karburanteve në tregun tonë u rrit katër herë dhe importuesit ia faturuan këtë ecuri shtrenjtimit të arit të zi në bursa. Madje, rritja në tabelat e tregtarëve shqiptarë ishte në të njëjtën kohë me rritjen e çmimit të naftës në bursën e Londrës, edhe pse produkti nuk ishte blerë ende dhe aq më pak të ishte sjellë apo shpërndarë në Shqipëri.
Por teksa rënia e çmimit të naftës ka qenë drastike një ditë më parë në bursa, importuesit dhe tregtarët shqiptarë të karburanteve nuk e kanë reflektuar, çka dëshmon për abuzimin e pastër që po iu bëhet konsumatorëve.
Pas rritjes së çmimit për disa ditë rresht, duke kapur vlera rekord, të mërkurën u zhvillua një protestë para godinës së Kryeministrisë. Protesta pati edhe në Durrës e Shkodër. (A2 Televizion)