
14 maji prodhoi një rikonfirmim të socialistëve në pushtetin vendor. Krahas fitimit të zonave që prej vitesh qeverisen nga e majta, Partia Socialiste arrit të fitonte edhe bastionet demokrate si Shkodra, Tropoja e Kamza.
Koalicioni "Bashkë Fitojmë" arriti të merrte disa bashki të vogla, ndërsa demokratët e Alibeajt dolën në këto zgjedhje me zero bashki.
Partia Socialiste arriti të rikonfirmonte avantazhin numerike në fletë votim. 14 maji prodhoi një fitore totale të tyre në pjesën më të madhe të bashkive të vendit. Qershia mbi tortë ishte fitorja e bastioneve të Partisë Demokratike.
Krahas Kamzës dhe Tropojës, marrja e drejtimit të Shkodrës hyri në historinë elektorale shqiptare ku për herë të parë do të drejtohet nga një kandidat socialist. Madje po aq historike është edhe fitorja me rreth 12 mijë vota avantazh me kandidatin e koalicionit Bardh Spahia.
E nisur nga zero për shkak të bojkotit të 2019, Sali Berisha dhe Ilir Meta të grupuar në koalicionin "Bashkë Fitojmë" arritën gjithashtu të merrnin disa bashki.
Ndonëse numerikisht mund të konsiderohet një fitore modeste, ashtu si socialistët ata arritën të kthenin disa zona tradicionalisht të majta.
Fitorja në Pukë, Fushë-Arrës, Mirditë dhe Memaliaj, do të shënojë hyrjen e një kryebashkiaku të djathtë pas disa vitesh në këto njësi vendore.
Garë elektorale në këto zgjedhje pati edhe në bashkitë minoritare në jug të vendit. Himara, Dropulli dhe Finiqi u ndanë mes tri forcave politike ku bashkinë bregdetare e fitoi partia e Vangjel Dules nën logon e koalicionit, socialistët Dropullin, ndërsa Finiqin e mori aleati i padeklaruar i Ramës, Partia e Minoritetit Etnik Grek për të Ardhmen.
Ajo që mund të quhet fitore për Sali Berishës është ajo brenda opozitës pasi Enkelejd Alibeaj i cili mbajti logon e PD-së, nuk arriti të fitonte asnjë Bashki më 14 maj. (A2 Televizion)